Shënime mbi të folmen e Ndroqit dhe të Pezës (Tiranë)

Autorët

  • Mehmet Çeliku

DOI:

https://doi.org/10.62006/sf.v74i1-2.981

Abstrakti

Krahinat e Ndroqit dhe Pezës ndodhen në perëndim të qytetit të Tiranës dhe i përkasin rrethit të Tiranës. Të dyja janë krahina kufitare dhe kanë përkatësisht këta kufij gjeografikë: Ndroqi kufizon me Shijakun (V.), me Durrësin (P.), me Kavajën (J.), me Pezën (L.); krahina e Pezës kufizon me Petrelën (L.), me Malësinë e Peqinit dhe Rrogozhinën (J.), me Mëzezin e Vaqarin (V.) dhe me Ndroqin (P.). Krahina e Pezës përfshin këto katunde: 1) Peza Madhe, 2) Peza Vogël, 3) Pezë Hélmes, 4) Maknor, 5) Çaúsh, 6) Dórëz, 7) Gurúr, 8) Grecë, 9 Pajûn, 10) Ballashêj. Krahina e Ndroqit përfshin: 1) Gërbllesh, 2) Zhurje, 3) Kërçukje, 4) Zbarqe, 5) Çoçje, 6) Varosh, 7) Sauqet, 8) Shesh, 9) Lagja Re, 10) Lagja Trek (9 dhe 10 janë lagje të katundit Ndroq), 11) Pinet, 12) Çale Bërzez. Nga ana administrative Peza varej para Luftës nga Peqini, ku ndodhej edhe komuna, pas Luftës, gjatë tre-katër vjetëve, u lidh me Petrelën. Ndroqi ka qenë i lidhur me Shijakun dhe me Durrësin. Aktualisht (1965) këto dy krahina administrohen nga një lokalitet i vetëm me qendër në Ndroq.
Etnografikisht krahina e Ndroqit dhe ajo e Pezës nuk përbëjnë njësi etnografike të veçanta, çka shihet në veshje e zakone, që pak a shumë janë të njëjta. Ndroqi dhe Peza janë kryesisht krahina kodrinore. Lumi i Erzenit kalon nëpër Ndroq dhe veçon disa nga katundet e Ndroqit në anën e djathtë të tij. Banorët e Ndroqit dhe të Pezës merren kryesisht me bujqësi dhe më pak me blektori. Kultivojnë misrin, të lashtat, duhanin; kultura e ullirit dhe e rrushit është mjaft e zhvilluar. Nranjakët (kështu quhen banorët e Ndroqit) dhe pezakët i bënin pazaret në Tiranë, Kavajë, Durrës e më rrallë në Shijak. Banorët e katundeve jugore e qendrore shkonin në Kavajë e më shpesh në Tiranë; ndonjë katund i krahut perëndimor, në të djathtë të Erzenit si Sauqeti, shkonin kryesisht në Shijak. Kjo varej nga afërsia gjeografike e qyteteve dhe nga lloji i mallit që tregëtohej. Pazaret organizoheshin në ditë të ndryshme të javës (në Durrës të premten, në Tiranë të enjten, në Shijak të hënën, në Kavajë të shtunën), çka mundësonte që banorët e të njëjtit katund të shkonin, madje brenda javës, në disa pazare. Banorët e katundeve të Pezës e Ndroqit, që të gjithë të besimit musliman, i bëjnë krushqitë me banorët e krahinave kufitare, por dhe brendapërbrenda katundit.

Shkarkimet

Download data is not yet available.

Metrics

Metrics Loading ...

Downloads

Botuar

2023-05-29

Si të citoni

Çeliku, M. (2023). Shënime mbi të folmen e Ndroqit dhe të Pezës (Tiranë). Studime Filologjike, 74(1-2), 49–80. https://doi.org/10.62006/sf.v74i1-2.981