Konceptimet e “tjetrit” në poezinë e Naim Frashërit
DOI:
https://doi.org/10.62006/sf.v74i1-2.985Abstrakti
Nëpërmjet këtij shkrimi mëtohet të identifikohen e të analizohen konceptimet me të cilat Naim Frashëri shënjon "Tjetrin". Prania e "Tjetrit" në krijimtarinë letrare të një autori rezulton në ndërtimin e njohjes dhe identifikimit të "vetes" së tij. Kjo prani bëhet edhe më e dendur kur autori vetëdijshëm synon strukturimin e identiteteve shoqërore. Sepse identitetet shoqërore ndërtohen në ndërveprim me të "tjerët" dhe identiteti ynë ose i grupit ("ne") formohet nga procesi i mendimit për veten ose për "ne" në raport me "Tjetrin". Në poezinë e Naim Frashërit, varësisht nga zhanri i poezisë së tij, ravijëzohen tri koncepte themelore që shënjojnë "Tjetrin". Në poezinë epike, "turku/aziatiku" përbën "Tjetrin" e shqiptarit dhe është simbol i të keqes dhe prapambeturisë. Ndërsa në elegjinë fetare të Naimit, Jezidi dhe familja e tij janë "Tjetri" i shqiptarit bektashian. Gjithashtu, Naimi në krijimtarinë mistike ka ndërtuar një "Tjetër", tek i cili synon të "tretet" dhe të bëhet "balt e pluhur". Të tria këto konceptime për "Tjetrin" rezultojnë struktura të ndryshme fizike dhe metafizike të Naim Frashërit, nëpërmjet të cilave projekton "Tjetrin" politik, identitar dhe mistik.