E shkuara traumatike dhe mjegulla utopike
Poezia e romantizmit shqiptar midis kujtesës dhe vizioneve prospektive
DOI:
https://doi.org/10.62006/sf.v74i1-2.988Abstrakti
Duke e parë përgjithësisht së brendshmi letërsinë e romantizmit evropian e në veçanti poezinë romantike, në rrafshin e ideve, të vizioneve, të gjuhës, të botëkuptimeve, ndjeshmërisë, individualitetit, mund të pohojmë se të shpeshtën e herës, ajo luhatet midis përpjekjeve për rigjenerimin, rishikimin a rikthimin e të shkuarës si dhe, në anën tjetër, midis vizioneve, ëndrrave e percepsioneve mbi të ardhmen, të panjohurën, të pritshmen, të dëshiruarën. Kur interpretonte poemën e Ugo Foskolos ―Varrezat‖, historiani italian i letërsisë Françesko de Sanctis shprehej se "poeti nuk mund të besojë në pavdekësinë e shpirtit; por megjithatë, do të dëshironte të besonte. Ndoshta ky është iluzion, por është e pamëshirshme të na i grabisni iluzionet, të cilat na lumturojnë, të cilat na e zbukurojnë jetën. Mirëpo, nëse fatkeqësisht është e vërtetë", vazhdon më tej De Sanctis, "që koha shkel gjithçka, që vetëm materia është e pavdekshme dhe se format shkatërrohen, nuk duket e vërtetë që vdekja e njeriut është një kotësi. Poeti ia ndërton njeriut pavdekësinë e re. Mbeten shkrimet e tij, idetë, veprat, përmendoret; muza e bën fjalëshumë heshtjen e varreve, ndërkaq të gjallët tek varrezat kërkojnë prehjen shpirtërore dhe frymëzimin".