Krijimtaria dhe kritika letrare binom i pandalshëm, i domosdoshëm dhe me ndërveprim reciprok
DOI:
https://doi.org/10.62006/sf.v74i1-2.990Abstrakti
Një brez i tërë fëmijësh dhe të rinjsh, që sot janë në moshën e tyre të pjekurisë e njohin shkrimtarin dhe krijuesin e një numri jo të vogël krijimesh, duke nisur nga përrallat e fabulat e duke vazhduar me tregimet, novelat e romanet. E njohin dhe i kanë lexuar librat e tij me mbretër e me luftëtarë, me ujq, arinj e dhelpra, me fshatarë e qytetarë, me luftëra dhe beteja për lirinë e atdheun, me peizazhet e bukura e mbresëlënëse të natyrës shqiptare. E njohin shkrimtarin e tyre të dashur, atë që në kopertinat e librave u shfaqet, herë me emrin Pandi Koçi e herë me emrin Sazan Goliku. Por Sazan Goliku nuk është vetëm shkrimtari i përrallave, fabulave, poezive e tregimeve për fëmijë. Ai është shumë më tepër se aq. Interesat e tij krijuese i kalojnë kufijtë e botës së fëmijëve, duke synuar shtigje të reja, lexues e adhurues të tjerë, objekte e dukuri të tjera frymëzimi dhe, për më tepër, një gjerësi e larmi problemesh që lidhen ngushtë me procesin krijues artistik që shqetësojnë botën e letrave. Janë me dhjetëra shkrimet e tij, esetë, recesionet dhe artikujt problemorë në organe të ndryshme të shtypit ku ai hapur, shpalos mendimet dhe opinionet, qëndrimet dhe kritikat e tij mbi krijimtarinë letrare, në përgjithësi dhe atë për fëmijë, në veçanti, si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë.
Në këtë angazhim të dytë të tij (jo për nga rëndësia) do të veçonim mjaft shkrime me interes të cilat, duke shprehur shqetësimin e autorit mbi dukuri e probleme negative për krijimtarinë letrare të kohës, tërhiqnin ose, më saktë, synonin të tërheqin vëmendjen e bashkëpunimin jo vetëm të krijuesve por dhe të lexuesve, për pakësimin e mënjanimin e tyre.