Kritikë dhe bibliografi
DOI:
https://doi.org/10.62006/sf.v74i1-2.991Abstrakti
Autori i monografisë në fjalë, Kurt Gostentschnigg (1965) historian, albanolog, gjermanist, përkthyes, shkrimtar e poet është emër i mirënjohur, dallohet si një ndër albanologët më të shquar austriak i kohëve të sotme, dhe si i tillë është pjesë dhe vazhdimësi e traditës së pasur të albanologjisë austro-gjermane. Studiuesi është njohës i shkëlqyer i gjuhës shqipe, hapësirës dhe botës shqiptare në tërësi, po ashtu veprimtar aktiv përmes pjesëmarrjes nëpër konferenca shkencore dhe aktiviteteve të ndryshme kulturore si në Vjenë, Grac, Munih, Regensburg, Tiranë, Shkodër, Prishtinë, Shkup e Tetovë etj., që kanë të bëjnë sidomos me këtë fushë dhe periudhë kohore që trajton monografia në fjalë. Kurt Gostentschnigg bashkëpunon ngushtë me studiuesit më me nam austro-gjermanë dhe me hulumtuesit shqiptarë nga të gjitha viset e botës shqiptare. Përshtypja e parë sapo ke në dorë këtë monografi, si për nga vëllimi me mbi 800 faqe, teksti i ngjeshur, ndërtimi, aparatura shkencore (me mbi 2500 fusnota), korpusi i pasur, literatura profesionale e shfrytëzuar mjaft e pasur, të bindin për peshën dhe vlerën që ka ky libër i rrallë në këtë fushë. Peshën ia shtojnë edhe temat e trajtuara dhe periudha e gjatë kohore, vendimtare për fillet dhe zhvillimin e albanologjisë austro-hungareze 1867-1918 dhe në përgjithësi albanologjisë si shkencë. Kjo monografi përbëhet prej gjithsej tetë pjesëve; nis me pjesën hyrëse, vijojnë pesë kapitujt kryesor konceptuar sipas fushave: shkencore, politike, ushtarake, fusha e austrofilëve dhe interakcioni i fushave, kapitulli i gjashtë jep konkluzionet dhe i shtati përmban shtojcën me bibliografi dhe literaturën e shfrytëzuar. Hyrja e monografisë trajton arsyet dhe stadin e hulumtimeve, mendimet teorike, qëllimet dhe çështjen e hulumtimit, metodën e studimit dhe teoritë mbi të cilat mbështetet studimi.