Jehona e alfabetit të Sambollit në shtypin Shqiptar të kohës

Autorët

  • Rami Memushaj

DOI:

https://doi.org/10.62006/sf.v74i3-4.999

Abstrakti

Shekulli XIX është shekulli i zgjimit të shqiptarëve. Pas treqind vjetësh robërie të rëndë dhe padijeje të thellë, që i kishte shpurë në prag të zhbërjes si komb i veçantë, bota shqiptare nisi të lëvizte. Përtej Adriatikut, ku zgjimi kishte nisur një shekull më parë, Engjëll Mashi, me librin e tij “Bisedë mbi origjinën, zakonet dhe gjendjen e sotme të kombit shqiptar” (1807), i bëri të ditur Europës se cilët ishin shqiptarët. Këndej Adriatikut, zgjimi nisi jo si lëvizje kulturore si tek arbëreshët, po si lëvizje e armatosur kundër shtypjes e shfrytëzimit të egër të Perandorisë Otomane, e cila në kohën kur Greqia, Serbia dhe Mali i Zi po i dilnin nga dora, po punonte për përjetësimin e sundimit të saj në Shqipëri. Reformat administrative, ushtarake dhe fiskale që filloi sulltan Mahmuti II, të cilat kulmuan me dekretin e Tanzimatit, jo vetëm nuk i njihnin shqiptarët si kombësi më vete, por e forconin aq shumë shtypjen ekonomike e kombëtare, sa Sami Frashëri e pati quajtur “një pushtim të dytë të Shqipërisë”. Zhveshja e feudalëve shqiptarë nga postet dhe privilegjet e mëparshme, përjashtimi i shqiptarëve nga të gjitha nivelet e administratës dhe zëvendësimi i tyre me funksionarë e nëpunës turq, zbatimi i shërbimit ushtarak të detyrueshëm, që i merrte ekonomisë edhe ashtu të rrënuar shqiptare krahët më të aftë të punës dhe i jepte fund mercenarizmit, i cili kishte qenë një nga burimet e jetesës për një pjesë të shqiptarëve, i prekën thellë interesat e të gjitha shtresave të popullsisë. Këto reforma dhe ngjarje të tilla si vrasja e Ismail bej Vlorës dhe masakra e Manastirit, që patën si qëllim shuarjen e klasës sunduese në Shqipëri, i bindën përfundimisht shqiptarët se Turqia nuk ishte “nëna”, po armikja më e madhe e tyre. Kësisoj, ata nisën të përgatiten për qëndresë të armatosur, duke krijuar komitete e besëlidhje. Pikërisht, në vitit ‘30 nisin kryengritjet e mëdha popullore antisomane që kulmuan me kryengritjet e Tanzimatit, e cilat tronditën themelet e sundimit osman në Shqipëri. Këto kryengritje përbëjnë faza e parë të luftës së popullit shqiptar kundër sundimit otoman. Edhe pse nuk u arrit në këtë fazë të parë një organizim politik-ushtarak mbarëkombëtar, edhe pse nuk pati një program politik me synime të largshkuese, kërkesa për të përjashtuar nga zbatimi i reformave centralizuese tokat shqiptare “donte të thoshte në fakt zbatimin e një statusi të veçante për territoret shqiptare".

Shkarkimet

Download data is not yet available.

Metrics

Metrics Loading ...

Downloads

Botuar

2023-05-29

Si të citoni

Memushaj, R. (2023). Jehona e alfabetit të Sambollit në shtypin Shqiptar të kohës. Studime Filologjike, 74(3-4), 83–108. https://doi.org/10.62006/sf.v74i3-4.999