Përballja e Shqipërisë me pozitën e shqiptarëve në Jugosllavi
1935
Abstrakti
Artikulli trajton pozitën e shqiptarëve në Jugosllavi në periudhën midis dy Luftërave Botërore, duke u fokusuar posaçërisht në vitin 1935. Autorja ka mendimin se në kushtet kur nga qarqet politike të Beogradit u konsiderua i pamundur asimilimi i shqiptarëve që jetonin në Jugosllavi, mendimi politik serb i kohës u përqendrua në gjetjen e moduseve për arritjen e spastrimit etnik të popullsisë shqiptare nga trojet e tyre etnike. Programi politik i drejtuesve serbë u fokusua në dëbimin e shqiptarëve drejt Turqisë. Ata shfrytëzuan mjeshtërisht deklaratat politiko-diplomatike të drejtuesve të shtetit turk, për mundësinë e sjelljes në Turqi të të gjithë myslimanëve të Ballkanit. Kjo shkaktoi shqetësim në qarqet politike të shtetit shqiptar. Diplomacia shqiptare bëri demarshet e saj në Ankara, Beograd dhe Romë në mënyrë që shteti jugosllav të hiqte dorë nga përpjekjet që synonin spastrimin etnik të Kosovës dhe viseve të tjera të banuara me shumicë shqiptare në Jugosllavi. Megjithë problemet e rënda ekonomike që kishte Shqipëria, drejtuesit e shtetit shqiptar arritën në përfundimin se, Shqipëria duhej të merrte masa për instalimin në Shqipëri të emigrantëve shqiptarë që synonin të largoheshin drejt Turqisë.