“Armik i pushtetit popullor” që shkencërisht “punon për ne”: shteti komunist dhe studiuesi Eqrem Çabej

Autorët

  • Ledia Dushku

Abstrakti

Periudha 10-vjeçare, 1944-1954 rezulton të jetë më e vështira për studiuesin Eqrem Çabej, si në aspektin njerëzor dhe profesional. Ai rezistoi këto vite duke përdorur me mjeshtëri punën si “artin i të mbijetuarit”, pa qenë as intelektuali “njeri i oborrit”, as intelektuali “disident”. Shteti komunist ndoqi ndaj tij politikën e dorës së hekurt, duke e survejuar, mbyllur në vetvete dhe ndrydhur thuajse në çdo aspekt të veprimtarisë së tij. Duke nisur prej 1955-ës, marrëdhënia e shtetit me të, gradualisht filloi e mori trajtat e politikës së dorashkës së kadifenjtë, që nuk ishte gjë tjetër veçse një formë shumë e hollë dhune dhe manipulimi, me synim nënshtrimin përmes shtrëngimit dhe përkëdheljes njëkohësisht71. Në rastin konkret, “përkëdhelja” fillon e bëhet e dukshme që prej vitit 1957, kur Eqrem Çabej u vlerësua me Urdhrin e Punës së Klasit II, për të vijuar me disa çmime të para të Republikës dhe dhënien e titullit “Mësues i Popullit”. Sakaq, prej vitit 1961, Çabej do të ishte pjesë e diskursit publik të Enver Hoxhës, duke u konsideruar si “mik i vjetër” dhe “profesor me rezultate të shkëlqyera”72. Në vijim, nga gushti i 1963-shit, me ulje e ngritje të herëpashershme, ai u bë pjesë e delegacioneve të studiuesve shqiptarë jashtë Shqipërisë. Regjimi kishte nisur kështu të projektonte përdorimin e punës së pashoq të profesorit të gjuhës73, si pasqyrë të tij në arenën ndërkombëtare. Ndërkohë, larg syve të publikut zhvillohej ana tjetër e dorës së hekurt të totalitarizmit shqiptar. Ajo mban emrin Dosja Formulare, numër 2383, që ekzistoi si e tillë deri pesë muaj pas ndarjes nga jeta të profesor Çabejt. Në brendinë e 205 fletëve të saj zbulon “tjetrin” e Çabejt studiues, atë të Çabejt “armik i pushtetit popullor”, që nuk e përqafoi marksizëm-leninizmin, me një vëlla të vrarë nga komunistët dhe kunatin eksponent të Ballit Kombëtar, arratisur në Amerikë. Këto dy aspekte të fundit, pjesë e historisë së tij familjare në vitet e Luftës së Dytë Botërore, gjatë gjithë jetës ishin kambanat e alarmit, çekanët mbi kokë, për ta frikësuar dhe bindur njëkohësisht, duke dashur t’i kujtonin se për regjimin ai ishte “i dashuri armik”. 

Shkarkimet

Download data is not yet available.

Downloads

Botuar

2023-05-30

Si të citoni

Dushku , L. (2023). “Armik i pushtetit popullor” që shkencërisht “punon për ne”: shteti komunist dhe studiuesi Eqrem Çabej. Studime Historike, 75(3-4), 197–222. Retrieved from https://albanica.al/studime_historike/article/view/1035

Numri

Seksioni

Articles