Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën operative të Shalës dhe humbjet e forcave Serbe
Abstrakti
Përfundimi i Luftës Ballkanike dhe vendimet e Konferencës së Paqes i gjetën trevat veriore e verilindore shqiptare nën pushtimin serb e malazez. Ato u ndanë në njësi administrative nga nevoja për kontrollimin sa më të lehtë dhe aneksimin e tyre. Kosova nën administrimin serb u nda në pesë qarqe, kurse Peja ishte qendër administrative për rajonet e Kosovës nën administrimin malazez.1
Serbia dhe Mali i Zi ndoqën një politikë shkombëtarizuese, duke përdorur metodat e dhunës e të represionit, që përfshinin plaçkitjet, vrasjet, shpërnguljet, konvertimet, kolonizimet, e shumë forma të tjera të dhunës. Në shtator 1913, kundër regjimit serb u ngrit në revoltë treva e Dibrës. Kryengritja përfshiu një pjesë të madhe të Kosovës, kurse në mars 1914 një tjetër kryengritje shpërtheu në rrethinën e Rahovecit. Që të dyja ato u shuan dhunshëm, kurse masat represive ndaj banorëve të pafajshëm ishin të skajshme. Krahas kryengritjeve, në vise të ndryshme të Kosovës, sidomos pas vitit 1914, filluan të riorganizoheshin çetat kaçake si përgjigje ndaj dhunës serbe.