Shaban Polluzha dhe revolta e Drenicës
Abstrakti
Shaban Polluzha spikat në konstelacionin e atdhetarëve të kombit shqiptar të të gjitha kohërave. Ai diti të orientohej drejt dhe të kishte si pikë referimi në rrugën e jetës së tij jo të shkurtër, rreth 75-vjeçare, aspiratat e kombit dhe, në finalen e veprimtarisë së tij, u sakrifikua pikërisht për to. E dinte fundin që e priste kur ngriti armët për të kundërshtuar dhunën e një armate të fuqishme, por nuk hezitoi për asnjë çast të ecte drejt vetëflijimit në rrugën e detyrës e të nderit, që e çoi drejt lavdisë, duke u bërë simbol e burim frymëzimi për gjeneratat e reja. Kjo është rruga e burrave të mëdhenj. Dy dekada para vrasjes së tij, një burrë tjetër i shquar këtë herë nga Plavë-Gucia, Mulla Agan Plava, pak kohë para se ta likuidonin me atentat në bjeshkët e Tropojës, ku ishte strehuar pas ripushtimit të krahinës së tij në shkurt 1919 dhe masakrimit të banorëve të saj nga forcat ushtarake serbe e çetnikët malazezë, kur e pyetën me naivitet ose në mënyrë provokative, se ç’fituan ai dhe shokët e tij nga gjithë ajo luftë, nga gjithë ato sakrifica e gjak, kish ngritur supet me habi dhe qe përgjigjur thjesht: “Bëmë detyrën”.