Prof. Dr. Adem Mezini
1941-2020
Abstrakti
Më 22 dhjetor 2020 u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare pedagogu, studiuesi dhe kolegu ynë i nderuar, prof. dr. Adem Mezini
Në auditorët e universiteteve shqiptare nuk do të kumbojë më drejtpërdrejtë fjala polivalente e këtij historiani karizmatik, prof. dr. Adem Mezini. Ai fizikisht ndërroi jetë, por vepra e tij e shumanshme, e mishëruar si korpus tekstesh, punimesh monografike e artikujsh shkencorë, si fjalë e ngrohtë profesionale me studentët e kolegët, si personalitet me virtytet më të arrira, do të rrezatojë gjithnjë jo vetëm në mjediset universitare e institucionet studimore, por edhe më gjerë në shoqërinë shqiptare. Prof. dr. Adem Mezini ka qenë dhe do të mbetet një studiues elitar në trupën pedagogjike dhe kërkimore të universiteteve shqiptare. Që në fillimet e punës së tij në Universitetin e Tiranës në vitet 60-të, atë e ka rrethuar aureola e historianit erudit, e studiuesit profesionist të ballit të parë dhe e mendimtarit me vizione kritike dhe krijuese. Si i tillë prof. dr. Adem Mezini nuk mund të mos shfaqej në sytë e një kategorie njerëzish i veshur me kostumin shik të “kapriçiozit të paparashikueshëm”, “të arrogantit” dhe të “prepotentit”. Ndërkohë, ky profesor “i vështirë” bëhej mik i përhershëm edhe nëpërmjet një bisede të rastit që mund të zgjasë më pak se një minutë, nëse tjetri ishte dinjitoz në profesionin e vet dhe veçanërisht kur ishte studiues i aftë në shkencat historike dhe përgjithësisht sociale.