Dr. Nuri Dragoj
1951-2020
Abstrakti
Më 15 tetor 2020 në Tiranë ndërroi jetë gazetari, historiani dhe patrioti i njohur Nuri Dragoj, një personalitet me vlera të spikatura në çështjen e atdhetarisë dhe të publicistikës duke lënë pas një korpus të madh shkrimesh, monografish e vëllimesh studimore.
Nuri Dragoj lindi më 22 prill 1951 në Zhepovë të Përmetit. Studimet e larta i përfundoi në vitin 1976 për mjek veterinar. Gjatë viteve 1977-1986 do ta ushtronte profesionin e tij në fshatra të ndryshme të Përmetit ku, gjatë kësaj periudhe ka kryer edhe specializime të ndryshme pasuniversitare. Ndërsa pas viteve 1990 aktivitetin studimor do ta përqendronte në fushën e historisë duke fituar në vitin 2013 titullin Doktor i Shkencave Historike pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës me temën “Treva e Përmetit në periudhën e viteve 1912-1944”. Pas viteve 1990, Nuriun e gjejmë të angazhuar më së shumti në fushën e gazetarisë. Përveç shkrimeve të hershme tek “Zëri i Popullit”, pas vitit 1993 ai do të merrte gjerësisht pjesë në shtypin e shkruar duke qenë i pranishëm me artikujt e tij. Gjatë viteve 2003-2009 do të kryente edhe detyrën e kryeredaktorit të gazetës “ epublika”. Përveç mediumeve të nivelit kombëtar, ai do të kontribuonte edhe në atë lokal duke qenë kryeredaktor i gazetës mujore “Dëshnica”. Kontributi i tij në publicistikë do të shtrihej edhe tek revista të ndryshme të nxjerra nga shqiptarët e diasporës siç qe edhe “Dituria” në Suedi. Me dhjetëra shkrime të botuara, Nuriu do ta pasuronte publicistikën shqiptare me shkrime që preknin tematika serioze me të cilat përballej shoqëria, shteti dhe çështja kombëtare.