Roli ndërmjetësues i tregtarëve nga Shqipëria e jugut si faktor i rëndësishëm për tregtinë Veneciane
Abstrakti
Tregtia pati një ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik, demografinë dhe urbanizimin e qyteteve shqiptare. Ndërmjetësimi në tregti kishte një rëndësi të veçantë për venecianët. Një rol parësor për zgjerimin e saj luajtën tregtarët e besimit ortodoks nga Janina, Arta, Pogoni, Voskopoja etj., të cilët u vendosën në Venecia pranë vëllazërisë Scuola dei Greci nga fundi i shek. XV dhe mesi i shek. XVI. Nga këto qytete, tregtarët shqiptarë formuan disa ngulime në Bullgari, ndër të cilat Arvanitochori i Tarnovos dhe Arbanasi i Razgradit, nga ku emigruan në principatat rumune dhe arritën postet më të larta me Vasil Lup dhe Stefan Koçin, Gjergj dhe Gregor I Gjika, paraardhësit e Dora d’Istrias, Gjergj dhe Konstantin Dukën etj., të cilët kishin raporte tregtare me Venecien me anë të korrespondentëve tregtarë. Edhe dragomanët shqiptarë, si Bartolomeo Bruti dhe nipat e tij që i përkisnin familjes Boriçi (Borisi), patën një peshë të madhe në raportet e Venecies me Stambollin dhe principatat rumune. Pas hapjes së konsullatës veneciane dhe konsullatave të tjera të huaja në Durrës në çerekun e parë të shek. XVII, ku konvergonte tregtia ndërballkanike, disa nga këta tregtarë u vendosën në këtë qytet e mbajtën poste drejtuese pranë konsullatave dhe më pas një pjesë prej tyre e vazhduan tregtinë nga Venecia si tregtarë porositës (commissionari).