Ideologjia, politika dhe historia: rasti i kryengritjes së Shqipërisë së mesme
1914–1915
Abstrakti
Ky punim, duke marrë si rast studimi trajtimin e Kryengritjes së Shqipërisë së Mesme të viteve 1914-1915, analizon politizimin e historisë gjatë periudhës komuniste dhe përdorimin e saj si instrument i legjitimit të regjimit stalinist shqiptar. Një hapësirë e posaçme i është kushtuar sidomos ndërhyrjes së Enver Hoxhës mbi mënyrën e trajtimit të kësaj kryengritjeje dhe tezave që ai hodhi për interpretimin e saj. Në këtë artikull, argumentohet se udhëheqësi komunist shqiptar e integroi Kryengritjen e Shqipërisë së Mesme brenda një skeme historike teleologjike, që kishte për synim të justifikonte dhe legjitimonte të tashmen nëpërmjet së shkuarës. Sipas E. Hoxhës, lëvizja e armatosur e drejtuar kundër Princ Vidit dhe Esat Pashë Toptanit ishte një luftë me karakter klasor, të cilën fshatarësia shqiptare e drejtonte kundër Fuqive të Mëdha europiane dhe klasës së bejlerëve që u shërbente interesave të huaj në Shqipëri. Për rrjedhim, lufta për emancipimin kombëtar dhe klasor integroheshin në një emërues të vetëm. Kryengritja e Shqipërisë së Mesme i shërbente Enver Hoxhës për të ndërtuar një traditë revolucionare në Shqipëri, pika kulmore e së cilës ishte qëndresa e drejtuar prej komunistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nevoja për të treguar se themelimi i PKSh-së dhe ardhja në pushtet e saj nuk ishin aksidente historike por rezultat i logjikës së vetë historisë së Shqipërisë, ishte arsyeja pse E. Hoxha i dha Kryengritjes së Shqipërisë së Mesme një rëndësi shumë të madhe dhe të përcaktonte personalisht mënyrën e trajtimit të saj.