Fillesat e organizatës së fshehtë politike “Krahu Kombëtar” (Klika) – largimi i Ahmet Zogut prej saj
Abstrakti
Artikulli synon të japë një vështrim të përgjithshëm rreth organizatës politike “Krahu Kombëtar” (Klika), e cila ishte mjaft aktive gjatë viteve 1920, si dhe të paraqesë kontributin e drejtuesve të saj për organizimin e Kongresit të Lushnjës dhe në ringritjen e strukturës së shtetit shqiptar në fillim të viteve 1920. Autori përpiqet të hedhë dritë në lidhje me qëllimin dhe kohën e formimit të saj; të trajtojë modelin e kësaj organizate, programin politik si dhe mënyrën e organizimit e të funksionimit të saj. Në artikull pasqyrohen emrat e drejtuesve të parë të saj si dhe arsyet e angazhimit të Ahmet Zogut në këtë organizatë politike në mbarim të Luftës së Parë Botërore. Aty trajtohen shkaqet dhe rrethanat që çuan në ftohjen e marrëdhënieve të “Klikës” me Ahmet Zogun, duke nisur nga pranvera e vitit 1923, si dhe rrethanat e largimit të Ahmet Zogut nga “Klika” në fillim të zgjedhjeve për në Asamblenë Kushtetuese të Shqipërisë.