Tri dekada pas: një përmbledhje tranzicioni për Shqipërinë
Abstrakti
Ky punim synon të japë një pasqyrë të përmbledhur të problematikave në sistemin politik dhe përfaqësues të tranzicionit, si dhe të trajtojë disa prej këtyre aspekteve të debateve mbi tranzicionin në funksion të tezës se në rastin shqiptar, për shkak të ndikimit të faktorëve të ndryshëm historikë, socialë dhe politikë, rezultatet e tij mund të konsiderohen maksimumi i mundshëm që na ofron kjo elitë politike dhe se për të njëjtat arsye, rikthimi i tranzicionit nga fillimi do të mund të kishte sjellë rezultate të njëjta. Teza e hendekut të madh midis perceptimeve e pritshmërive mbi bilancin e mundshëm të tranzicionit dhe kapaciteteve e mundësive reale për ta arritur këtë progres është plotësuese në këtë drejtim. Shqipëria e nisi demokracinë pa pasur “demokratë”, sistemin shumëpartiak duke pasur të vetmin model referimi sistemin njëpartiak, nuk pati bazë ekonomike mikse dhe kushtëzuese ndaj vendimmarrjeve politike, si dhe i dha mandat drejtimi një elite politike të formuar, të rritur dhe të promovuar në një sistem të kundërt politik me modelin e shoqërisë së hapur, për të cilin u angazhuan. Në funksion të tezave kryesore studimi trajton elementet kryesore të sistemit përfaqësues, përfshin tiparet dalluese me modelet e tjera, ndikimet e faktorit ndërkombëtar dhe problematikat e përfaqësimit.