1943-1944: Shqiptarët dhe projekti Britanik për zbarkim në Shqipëri
Abstrakti
Shqyrtimi me kujdes i dokumenteve arkivore britanike, të hulumtuara vite më parë, në lidhje me idenë dhe planet e Shtabit Aleat [në fakt britanik] për të zbarkuar në Ballkan, më nxiti që këtë çështje ta bëj objekt diskutimi të tryezës sonë. Dokumentet e hulumtuara dëshmojnë se britanikët kishin përpunuar plane të detajuara për administrimin e territoreve të Shtetit të Bashkuar Shqiptar [Shqipëri dhe Kosovë] në periudhën prill-nëntor 1943. Plani i aleatëve anglo-amerikanë për të zbarkuar në jugun e Italisë [operacioni ‘Husky’] dhe gradualisht për ta larguar këtë të fundit nga radhët e Fuqive të Boshtit, u shoqërua me rritjen e interesit për territoret lindore të Adriatikut, dhe forcimin e rezistencës antifashiste në Jugosllavi, Greqi e në Shqipëri. Për shkak të interesit të njohur për këtë rajon, Britania e Madhe në raport me SHBA kishte rolin e primarit. Të dyja shtetet e mëdha aleate me diferenca disamujore dërguan në Shqipëri misionet e veta. Britanikët u përfaqësuan nga BLO-të [British Liaison Officers-oficerët britanikë të ndërlidhjes], ndërsa amerikanët nga misionet e OSS [Office of Strategic Services - Zyra e Shërbimeve Strategjike], të cilët dhanë kontributin e tyre për çlirimin e vendit nga Fuqitë e Boshtit. Por, siç dëshmojnë, dokumentet e gjetura së fundi në Arkivat Kombëtarë Britanikë, komanda ushtarake britanike në periudhën prill-nëntor 1943, kishte hartuar plane për të zbarkuar në Shqipëri e në Ballkan.