Roli i konsullatës Veneciane të Durrësit në mbrojtje të interesave ekonomike të Venecies në fillim të shek. XVIII
Abstrakti
Në fillimin e shek. XVIII, ndërkohë që tregtia veneciane po kthehej gjithnjë e më tepër në rajonale, një vend i vogël si Shqipëria do të ishte partneri kryesor në tregtinë me Venecien. Pas mbarimit të Luftës së Moresë (1684-1699) dhe Traktatit të Karlovicit (Sremski Karlovcit, 16-26 janar 1699), autoriteti venecian për tregtinë i Pesë të Urtëve në një relacion drejtuar doxhës së Venecies vërente se Shqipëria një vend “opulente di nogotio”, ku kalonte një vëllim i madh i tregtisë, ishte kthyer në një udhëkryq të mallrave nga i gjithë Ballkani (Maqedonia, Greqia, Transilvania, Vllahia, Moldavia etj.). Në fakt, rolin kryesor e kishte porti i Durrësit vendkalim i mallrave dhe tregtarëve nga Shkodra, Elbasani, Voskopoja, Tirana, Kavaja, Ohri dhe Shkupi, Kosturi, Siatista, Janina, Arta dhe Selaniku, Arvanitochori i Tërnovës (ngulim shqiptar në Bullgari) dhe i prijësve me origjinë shqiptare të Principatave Rumune e Moldave3. Sipas raportit të konsullit francez të Durrësit, Balthasar Le Comte, në Durrës ishin të pranishëm rreth njëqind tregtarë, të cilët përfaqësoheshin në Venecie nga korrespondentët e tyre. Në shek. XVII-XVIII, qendrat ekonomike u zhvendosën në Mesdheun Verilindor. Nga fundi i shek. XVII, autoriteti venecian i Pesë të Urtëve për Tregtinë vuri re se nga të gjitha rrugët tregtare të Perandorisë Osmane, ku ishin selitë e konsullatës veneciane, vetëm Durrësi dhe Smirne (Izmiri) ishin dy portet ku tregtia me Venecien po ecte me ritëm të mirë5. Në vitin 1594, tregtari hebre Daniel Rodriga o Rodriguez u propozoi autoriteteve veneciane Rrugën Tregtare të Durrësit (la scala di Durazzo) si rrugë kalimi tranzit për tregtinë e Ballkanit me Venecien, ashtu siç kishte realizuar më parë në vitin 1592 projektin e Rrugës Tregtare të Splitit (la scala di Spalato) për tregtinë ndërmjet Venecies dhe Perandorisë Osmane.