Izber Hoti
1948-2020
Abstrakti
Izber Hoti u lind më 15 gusht 1948 në fshatin Revuçë afër Podujevës. Shkollën fillore, Normalen, Fakultetin Filozofik, Degën e Historisë, dhe studimet pasuniversitare i kreu në Prishtinë, ku magjistroi dhe doktoroi. Gjashtë vjet ishte mësues në Prishtinë, kurse në Institutin e Historisë së Prishtinës u punësua më 1976. Magjistroi me temën: “Prishtina dhe rrethina ndërmjet dy Luftërave Botërore”, në fund të vitit 1978, ndërsa doktoroi më 1981, me temën: “Lëvizja Nacionalçlirimtare në Prishtinë dhe rrethinë 1941-1945”. Mori pjesë në tubime të ndryshme shkencore në Kosovë dhe jashtë saj, si dhe recensoi dhe redaktoi shumë punime e vepra shkencore nga fusha e historisë. Orientimi i studimeve të prof. Hotit ishte kryesisht historia e shekujve XIX-XX, periudha historike për të cilat u bë një nga historianët e shquar shqiptarë. Nga viti 2013 edhe pse në pension, ai vijoi edhe më tej të ishte aktiv në punën shkencore. Ishte autor i Projektit “Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX” në Institutin e Historisë, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë.