Prejardhja e fiseve Krasniqe e Nikaj nën dritën e të dhënave gjenetike, historike dhe traditës burimore
Abstrakti
Nevoja e ndërmarrjes së studimeve ndërdisiplinore në hulumtimin historik bëhet gjithnjë e më e theksuar me shtimin e të dhënave
shkencore të disponueshme të cilat shpien në sinteza gjithnjë e më të sakta të dukurive historike. Në këtë punim, si rast studimi kemi zgjedhur fiset Krasniqe dhe Nikaj si dy ndër fiset më të mëdha shqiptare, prej të cilave kemi mbledhur 23 mostra për sekuencim gjenetik. Të dhënat gjenetike mbështesin një sërë të dhënash të tjera të karakterit historik, etnografik, antropologjik dhe njëkohësisht shërbejnë si pasurim i mëtejshëm i historisë së këtyre fiseve dhe si plotësim i mozaikut të të dhënave mbi popullatat apo fiset që përbëjnë etninë shqiptare. Rezultatet tregojnë se vëllazëritë kryesore të të dy fiseve kanë prejardhje të përbashkët në vijë atërore, dhe se vëllazëritë e Krasniqes lidhen më afër mes tyre se me ato të Nikajve. Gjithashtu, anëtarë të të dy fiseve trashëgojnë një haplogrup karakteristik për shqiptarët e Veriut, i cili lidhet edhe me disa rezultate të lashta nga rajoni. Të dhënat gjenetike duke u trajtuar dhe përdorur në cilësinë e burimit historik, shërbejnë për historicizimin e të dhënave të mjegulluara nga koha dhe të parikthyeshme përmes metodave tradicionale historiografike.