Ndërhyrja ushtarake e Nato-s në Kosovë: rast precedent apo përjashtim?
Abstrakti
Intervenimi ushtarak i NATO-s në luftën e Kosovës, përkatësisht goditja e caqeve ushtarake serbe, paraqet një nga ngjarjet më të rëndësishme në Evropë në dhjetëvjeçarin e parë pas përfundimit të konfliktit Lindje-Perëndim, që po ashtu çoi në dezintegrimin e dhunshëm të Federatës Jugosllave. Ishte kjo ndërhyrja e parë humanitare në historinë e NATO-s ndaj një shteti agresor, i cili deri në atë moment kishte refuzuar çdo zgjidhje me mjete paqësore dhe politike, refuzoi përmbushjen e të gjitha rezolutave të Këshillit të Sigurimit dhe Marrëveshjen e Rambujesë. Kjo ndërhyrje e NATO-s nuk ishte një luftë për interesa nacionale dhe as për pushtimin e territorit, por synonte të evitonte një “Bosnje të dytë” në Kosovë, e cila në këtë periudhë po përballej me agresionin, vrasjet dhe dëbimet më masive që nga Lufta e Dytë Botërore. Në këtë punim synohet për t’i dhënë përgjigje pyetjes hulumtuese: A ishte “ndërhyrja humanitare” e NATO-s në luftën e Kosovës një ndërhyrje legjitime dhe nëse ky intervenim përbënte një rast precedent apo përjashtim dhe përse intervenimi i NATO-s ishte i domosdoshëm në luftën e Kosovës? Së pari, është trajtuar çështja e “intervenimit humanitar” dhe principi i sovranitetit, përpara se të ndalemi në trajtimin e rrethanave të ndërhyrjeve humanitare në Kosovë. Kjo pasohet nga një përshkrim i shkurtër i situatës në Kosovë para ndërhyrjes dhe një pasqyrë e operacionit të Forcave Aleate. Në hapin e fundit, do të bëhet një analizë e motiveve dhe arsyeve të NATO-s, duke marrë parasysh mendimet e autorëve të ndryshëm që argumentojnë përmbushjen e kritereve të kësaj ndërhyrjeje humanitare. Punimi im bazohet në burimet e botuara, në studime të autorëve të huaj, si dhe në shtypin e kohës, në të cilin trajtohet çështja e luftës së Kosovës dhe çështja e intervenimit ushtarak të NATO-s në kontekstin e ri ndërkombëtar pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Për të dhënë një sfond më të detajuar të ndërhyrjes ajrore të NATO-s në luftën e Kosovës, bëhet një vështrim përmbledhës rreth çështjes së “intervenimit humanitar” dhe principit të sovranitetit, konventave ndërkombëtare mbi konfliktet dhe luftërat, në mënyrë që të përshkruaj rrethanat dhe rrjedhën e ndërhyrjes ajrore të NATO-s në periudhën 24 mars -10 qershor 1999. Në diskutimin publik ka dy pikëpamje të kundërta. Për disa ndërhyrja e 19 shteteve anëtare të NATO-s ishte një hap vendimtar larg një sistemi juridik ndërkombëtar të vjetërsuar, ndërsa për të tjerët mandatimi i Këshillit të Sigurimit ishte i nevojshëm për autorizimin e përdorimit të forcës nga NATO-ja kundër Jugosllavisë së mbetur. Në fund të punimit paraqiten edhe konkluzionet përse rasti i Kosovës është një pikënisje e rëndësishme dhe një argument i qëndrueshëm, se përse shkelja e të drejtave të njeriut nuk mund të përligjet me argumentin e sovranitetit shtetëror. Ky intervenim i NATO-s njihet edhe si doktrina mbi ndërhyrjen humanitare, e cila prej rastit të Kosovës dëshmoi se sovraniteti shtetëror dhe integriteti i kufijve nuk janë kategori të shenjta në rendin juridik ndërkombëtar.