No. 4 (2019): Studime Orientale

Fjala e redaksisë

Ky numër i revistës Studime Orientale po del më ndryshime krahasuar me numrat e kaluar, në saje të ndryshimeve institucionale në organizimin e studimeve orientale që janë bërë gjatë viteteve të fundit. Numrat e parë të revistës 1-3 u botuan nga Shoqata e Orientalistëve të Kosovës (SHOK), e cila u themelua më 2006. Kjo shoqatë e botoi më vonë revistën Studime Orientale në gjuhën shqipe, e cila i dedikohej rrethit të interesuar për këtë fushë studimesh në botën shqiptare.

Me themellimin e Institutit për Studime Orientale (ISO) në Prishtinë, më 2016, në marrëveshje me kolegët e Shoqatës së Orientalistëve në Kosovë, të cilët tani janë të angazhuar edhe në Institut (ISO), edhe në revistë, u dakorduam që të vazhdohet me botimin e revistës Studime Orientale, si botim i Institutit (ISO), me qëllim që të mbahet kontinuiteti i punës profesionale në fushën e orientalistikës në Kosovë, e cila daton së paku që nga viti 1973, kur edhe u themelua Dega e Orientalistikës në Universitetin e Prishtinës.

Në përputhje me Statutin e Institutit (ISO), Bordi i ri i Institutit e ka parë të udhës që numri i ri i revistës (nr. 4) të dalë në pesë gjuhë (nga e majta - në shqip, anglisht e turqisht, kurse e nga e djatha - në arabisht e persisht). Kjo mënyrë e botimit të revistës është menduar të jetë urë komunikimi midis kolegëve që merren me studimet orientale në Ballkan dhe të gjithë atyre që janë të interesuar për këto studime në Lindje dhe në Përendim. Pikërisht për këtë, tani e tutje në këtë revistë do të botohen punime origjinale në këto gjuhë, por edhe punime të përkthyra, me pelqimin e autorëve dhe të institucioneve përkatëse.

Po ashtu, tani e tutje revista do të botojë recensione për veprat e reja (deri në 1500 fjalë), të botuara në gjuhë të ndryshme të Ballkanit e që paraqesin vlerë dhe meritojnë të prezantohen në rrethe më të gjera në gjuhët në të cilat botohet revista.

Kështu, në këtë numër, në pjesën e majtë kemi punime në gjuhët angleze, shqipe dhe turke. Në gjuhën shqipe kemi një punim që i dedikohet një ngjarjeje shkencore të shumëpritur deri tani, botimit të Fjalorit historik të gjuhës arabe. Në këtë punim autori është përpjekur të prezantojë një sistem profesional të transkriptimit të emrave arabë në gjuhën shqipe, që mund të jetë iniciativë për një konsultë në nivel mbarëshqiptar për një sistem të unifikuar, të cilin ende nuk e kemi krahas gjithë kësaj tradite të punës që kemi në orientalistikë. Gjithashtu, në gjuhën shqipe botohet edhe një studim për logjikën e Aristotelit, e cila mësohej në medresetë shqiptare deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Në seksionin në gjuhën angleze kemi një studim për qëndrimin e Profetit Muhammad ndaj poezisë, kurse në seksionin në turqishte kemi një punim për veshjet popullore në fshatin GuriBardhë në Shqipëri deri në shek. XV, përkatësisht deri në pushtimin osman. Në pjesën e djathtë, në seksionin e gjuhës arabe, kemi një studim për Mehdi Frashërin për kohën derisa ishte guvernator i Jerusalemit më 1912, si dhe një studim të përkthyer nga shqipja në arabisht për fenomenin e "egjiptianëve të Kosovës". Më në fund, në sesionin në gjuhën perse kemi një punim që i kushtohet poetit Sadi dhe sfidave të njeriut bashkëkohor.

Përveç recensioneve për vepra të ndryshme, në këtë numër të revistës kemi edhe rubrikën In Memoariam, me ç’rast përkujtojmë dhe nderojmë Dariush Shayegan (1935 -2018), Mehmet Kico (1949 - 2018) dhe Qemajl Morina (1951 -2019).

Kemi nderin të njoftojmë lexuesit dhe opinionin e gjerë se gjatë përgatitjes për botim të këtij numri të revistës, anëtari i Bordit konsultatativ i Institutit (ISO) Akad. Esad Durakoviq u nderua më Çmimin për përkthim e mirëkuptim ndërkombëtar për veprën jetësore që përfshin përkthimet e tij nga gjuha boshnjake në arabisht (Doha 2018), kurse anëtari i redaksisë Salah Jarrar, në janar të vitit 2019, u nderua me Medaljen Mbretërore Spanjolle për veprën jetësore në fushën e studimeve arabe-spanjolle.

Prof. Muhamed Mufaku

Studime Orientale
ISSN: 2663-3973
No. 4 (2019)
Botuar: 2024-09-30