Leximi dhe komunikimi ndërnjerëzor
DOI:
https://doi.org/10.59164/univers.v20i20.2574Abstrakti
Leximi është mjeti më i sigurt dhe më i dobishëm i shoqërizimit të njerëzve, është gurthemel i qytetërimit dhe mjeti më i përsosur i komunikimit kulturor dhe ndërnjerëzor. Ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes leximit dhe zhvillimit në të gjitha shfaqjet e tij, duke përfshirë edhe anën ekonomike. Një shoqëri që lexon, nuk mund të jetë e varfër. Aty ku lexohet më shumë, aty jetohet më mirë, aty njeriu vetërealizohet më mirë, e përmbush misionin dhe funksionin e tij si qenie më mirë dhe më plotësisht sesa tjetërkund.
Të para në këtë këndvështrim, problemet e botës sot, ashtu sikurse dje, nuk janë probleme të zhvillimit, por të leximit.
Bota e zhvilluar, në të vërtetë dhe në thelb, është botë e lexuar. Vendet e botës që vuajnë nga problemet e zhvillimit të ulët ekonomik, nuk mund të kapin ritmin e zhvillimit pa masivizuar kulturën e leximit. Raporti midis varfërisë dhe leximit është një lidhje e zhdrejtë, e përhershme, e dëshmuar dhe e vërtetuar historikisht. Afrika është pjesa e botës që e shembullon lidhjen që ekziston mes mungesës së leximit dhe mungesës së zhvillimit. Është kontinenti më i pasur në burime natyrore. Është po ashtu edhe kontinenti më i vjetër dhe djepi i njerëzimit. Është copëtoka me kushtet më të favorshme klimatike për mirëqenien e njeriut. Aty, në dallim nga të gjitha kontinentet e tjera, nuk ekziston dimri si stinë. Është pranverë dhe verë e përjetshme. Është edhe copëtoka më e qëndrueshme në pllakat tektonike të tokës. Aty ndodhin më pak tërmete, vullkane, uragane dhe fatkeqësi natyrore sesa në pjesët e tjera të botës. Edhe nëntoka e saj është më e pasura nga të gjitha kontinentet e tjera. Megjithatë është më pak i zhvilluari kontinent në rruzullin njerëzor. Nuk ka asnjë dyshim në aftësitë e njerëzve nga ky kontinent për zhvillim e qytetërim. Ata janë ndërtuesit e mrekullive të qytetërimit Evropian dhe të Amerikës, përveçse ndërtuesit e qendrave të ndryshme të qytetërimit, nga më të pasurat dhe më të lashtat në historinë e njerëzimit. Asgjë nuk i mungon Afrikës së madhe dhe origjinale për të qenë e zhvilluar dhe e përparuar si zonat e tjera të botës, përveç leximit. Asgjë nuk u mungon as afrikave të vogla të shpërndara anekënd botës, përveçse kryefjalës dhe kryeçelësit të zhvillimit dhe përparimit: leximit.