Vëmendje ndaj trashëgimisë kulturore shqiptare
DOI:
https://doi.org/10.59164/univers.v24i24.2861Abstrakti
Shqipëria, një vend i vogël, por me shumë pasuri natyrore, arkeologjike dhe kulturore, ka arritur të bëhet pjesë e trashëgimisë botërore dhe të tërheqë vëmendjen e miliona njerëzve kudo në botë. Trashëgimia përfshin pasuri të prekshme dhe të paprekshme, natyrore dhe kulturore, të luajtshme dhe të paluajtshme si dhe dokumente të trashëguara nga e kaluara dhe të përçuara te brezat e ardhshëm, që të përfitojnë dhe të mësojnë nga trashëgimia e së kaluarës. Si burim identiteti, trashëgimia jonë kombëtare luan një rol madhor në njohjen, vlerësimin dhe ruajtjen e saj në nivel kombëtar e botëror.
Përfshirja e vlerave materiale dhe jomateriale të Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë,
UNESCO, i ka fillesat që në vitin 1992, me futjen e Butrintit në listën e trashëgimisë botërore. Butrinti u cilësua asokohe, si një ‘vlerë e
jashtëzakonshme universale’, me një atmosferë të veçantë, e krijuar nga një ndërthurje e arkeologjisë, monumenteve dhe natyrës në Mesdhe. Brendësia e tij përbën një peizazh të jashtëzakonshëm kulturor, i cili është zhvilluar organikisht gjatë shumë shekujve. Si një mikrokozmos i historisë së Mesdheut, Butrinti paraqet ngritjet dhe uljet e perandorive të mëdha që kanë mbizotëruar në rajon, që nga Lufta e Parë e Peloponezit, në shekullin e V p.e.s., deri në luftërat e Napoleonit, në shekullin e XIX. Rrënojat e tij 2500-vjeçare brenda një parku madhështor të gjelbër, me një hapësirë prej 30 km, janë disa nga më të bukurat e të mirëmbajturat në Europë.