Jeronim de Rada në tekstet shkollore shqiptare përgjatë viteve 1912-1944
DOI:
https://doi.org/10.59164/univers.v19i19.2978Abstrakti
Epiqendër e kësaj kumtese shkencore është hapësira që zë në tekstet shkollore figura e Jeronim De Radës përgjatë viteve 1912-1944 dhe mënyra e trajtimit të veprës së tij në këto tekste. Për herë të parë në programet shkollore shqiptare, emrin e Jeronim De Radës e ndeshim në vitin 1925, në tekstin e hartuar nga Justin Rrota “Letratyra shqipe për shkolla të mesme”, në të cilin jepen të dhëna jetësore për autorin dhe përmenden telegrafikisht disa prej veprave kryesore të tij. Njëherësh emri i tij ndeshet në trajtë bibliografike në kapitullin për botimet mujore letrare, ku citohet si botim i parë periodik letrar “Fjamuri i Arbërit” (1883), revistë e drejtuar nga Jeronim De Rada; si dhe në shtojcën për librat më të rëndësishëm të gramatikës në gjuhës shqipe, ku veçohet “Grammatica del la lingua Albanese” e botuar prej tij në vitin 1870. Më pas, në “Antologji shqipe” (1935, përgatitur nga Filip Fishta) u përfshinë për herë të parë, jo vetëm të dhënat për kontributin e tij jetësor, por edhe vepra e tij “Këngët e Milosaos” me titullin “Kangjele nga Milosau”. Teksti paraqitet i transkriptuar dhe është pajisur me komente sqaruese të termave të ndryshme, të bëra nga Izet Bebeziqi, i cili shpesh tenton edhe të interpretojë nivelin kuptimor të frazave përmes analizës formale të horizontit të pritjes. Një vit më vonë, pikërisht më 1936, Eqrem Çabej në “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe (Me pjesë të zgjedhura për shkollat e mesme)” i dedikon një vëmendje të veçantë letërsisë arbëreshe e arvanitase dhe figurës së Jeronim De Radës në veçanti, ku në 177 faqe të tekstit shkollor, 10 faqe ia dedikon Girolamo De Radës. Në këtë tekst paraqiten fillimisht të dhëna jetësore për autorin e më tej, përmes qasjes strukturaliste të përzier me atë sociologjike jep të dhëna mbi përmbajtjen dhe specifikat e stilit krijues për veprat “Milosao”, “Këngët e Serafina Topiës” dhe “Skënderbeu i pafaan”. Përveç fragmenteve nga “Milosao”, publikohet edhe novela romantike “Anmaria Cominiatet” (“Këngët e Serafina Topiës”), ku të dyja pajisen me shpjegime të vyera filologjike, të cilat e orientojnë lexuesin të depërtojë në rrafshet kuptimore të tekstit. Pasqyrim të gjerë vepra e De Radës ka gjetur edhe nga Namik Resuli në “Shkrimtarë shqiptarë” (1941), ku përmes metodës së brendshme të trajtimit të veprës nxirren në pah vlerat estetike të veprës dhe të vetë stilit të De Radës në përgjithësi. Ndërsa në vitin 1943, në “Bota shqiptare” e ndeshim në mënyrë fragmentare emrin e Jeronim De Radës, kur flitet për kontributin e autorëve të letërsisë italoshqiptare, ku ky poet vlerësohet për karakterin epik të veprave të tij.Fjalët kyçe:
Jeronim de Rada, tekste shkollore, vitet 1912-1944, trajtimReferences
Çabej, Eqrem. “Elemente të Gjuhësisë e të Literaturës shqipe me pjesë të zgjedhura për shkollat e mesme), Shtypshkronja e Ministris s’Arsimit, Tiranë, 1936.
Dervishi, Kastriot. Historia e Shtetit Shqiptar 1912-2005, Shtëpia Botuese 55, Tiranë, 2006.
Fishta, Filip. “Hjeronym De Rada”. Në: Anthologji shqipe për përdorimin e shkollave të mesme, Shtëpia Botonjëse “Kristo Luarasi”, Tiranë, 1935.
Kraja, Musa, Mësuesit për kombin shqiptar, Botimet TOENA, Tiranë, 1993.
Lili Sula, “Si ta lexojmë De Radën”, gazeta “Panorama”, 17 nëntor, 2014. (Linku: http://www.panorama.com. al/2014/11/17/si-ta-lexojme-de-raden/).
Resuli, Namik. “Jeronim de Rada (1814-1903). Në: Shkrimtarë shqiptarë, pjesa e parë (1462-1878): Për klasën e tretë e të katërt të kursit të naltë, Botim i Ministris s’Arsimit, Tiranë, 1941.
Rexhepagiq, Jashar, Tema të zgjedhura pedagogjike, Nova Makedonija, Shkup, 1972.
Rrota, Justin. “Jeronim de Rada e të tjerë shkrimtarë të Kalabrjes”. – Në: Letratyra shqipe për shkolla të mjesme, Shtypshkronja françeskane, Shkodër, 1925.