Kryetari i parë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit Iljaz Pashë Dibra (Qoku)

Autorët

  • Prof. Dr. Gazmend Shpuza

Abstract

Kryetari i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit Iljaz Qoku vijohet të trajtohet, sipas skemave të mëparshme, si një nga udhëheqësit e moderuar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në të vërtetë, ai përfaqëson një nga figurat më të shquara të historisë sonë kombëtare jo vetëm të periudhës në të cilën ai u shqua. Busti i tij së bashku me atë të Pashko Vasës dhe të Omer Prizrenit e ka vendin në kryeqytetin e Shqipërisë, përkrah atij të Abdyl Frashërit, si themelues të Lidhjes.
Iljaz Qoku ishte udhëheqës i shquar i kryegritjes së Dibrës (1862) kundër ekspeditës për vendosjen e administratës osmane të centralizuar, e cila nuk u njihte asnjë të drejtë kombëtare shqiptarëve. Ajo eleminoi edhe të drejtat që gëzonin deri më atëherë paria dhe banorët.
I pajisur me një vetëdije të re politike, në qershor të vitit 1878, u vu në ballë të luftës për sendërtimin e planeve për realizimin e autonomisë administrative kombëtare të vilajeteve të bashkuara shqiptare.
Me autoritetin dhe prestigjin që gëzonte ai punoi energjikisht, pa marrë parasysh moshën, për bashkimin e të gjitha viseve shqiptare rreth programit kombëtar të Lidhjes në Kuvendet e Dibrës më 14 tetor 1878 dhe më 10 nëntor 1880, të kryesuara po prej tij.
Këtë e dëshmojnë dokumentet programatike të Lidhjes së Prizrenit, në të cilat Iljaz pasha është kryefirmëtari i tyre dhe kryetar i kuvendeve në të cilat ato janë miratuar dhe rikonfirmuar në qershor dhe tetor 1878 si dhe në nëntor 1880.
Iljaz pasha së bashku me firmëtarët e tjerë të vendimeve të këtyre dokumenteve me vendosmërinë për të mos lejuar copëtimin e trojeve amtare dhe realizimin e Programit autonomist, të quajtur “Kushtetuta e Lidhjes”, dëshmuan, të ngritur mbi ndarjet fetare shqiptarinë dhe shqiptarësinë e mbarë popullit.
Më 15 qershor 1878 kërkuan: Krijimin e një administrate autonome nën emrin “vilajetet e bashkuara” (Tevhid-i vilayat) me qendër Manastirin dhe caktimin, përkohësisht, të Gazi Ahmet Muhtar pashës kryetar të Vilajeteve të Bashkuara ; Angazhimin për krijimin e Këshillave të Lidhjes me detyrë përhapjen e qëllimeve për autonomi në qendrat e mëdha si Manastiri, Shkupi, Prishtina; Mbledhjen e taksave, në emër të Vilajeteve të Bashkuara, duke organizuar për këtë qëllim dhe xhandarmërinë. Së fundi shtrohej si detyrë krijimi i milicisë ushtarake për mbrojtjen e territorit që do të përfshinin "Vilajetet e Bashkuara".
Më 10 nëntor 1880 në programin autonomist të porsamiratuar në Dibër, të organizuar nga Iljaz pasha, për krijimin e vilajetit shqiptar aderuan dhe krahinat jugore përmes Lidhjes Shqiptare për Toskërinë të përfaqësuar nga Abdyl Frashëri etj. Pjesëmarrja e tyre aktive në Kuvendin e Dibrës përforcoi karakterin e Lidhjes si një organizatë politike mbarëshqiptare ashtu siç qe përcaktuar qysh në ditën e pare të thelimit të saj. Nën kryesinë e Iljaz pashë Dibrës në Kuvend shumica e delegatëve të kuvendit u shpreh me vendosmëri për mbrojtjen e Ulqinit në kundërshtim me urdhërin e sulltanit për dorëzimin e tij. Ata i njoftuan Shkodrës gatishmërinë e banorëve të Dibrës për dërgimin e forcave vullnetare nga sanxhaku i tyre. Edhe nga sa u parashtrua më sipër, del plotësisht e qartë se në kundërshtim me pohimet dhe karakterizimet shpesh nihilizuese, në fund të fundit minimizuese, që janë bërë dhe bëhen rreth personit të Iljaz pashë Dibrës si një nga figurat konservatore apo të moderuara e deri dhe kapitullante të udhëheqjes së Lidhjes së Prizrenit nuk qëndrojnë.
Iljaz pashë qëndroi në radhët e para të udhëheqësve më të përparuar dhe më të vendosur të luftës së popullit shqiptar në vitet 1878-1881. Ai së bashku me Pashko Vasën, Ali pashë Gucinë, pasuesin e tij në krye të Lidhjes, Omer Prizrenin, Abdyl bej Frashërin, Daut Boriçin, Hodo Sokolin e dhjetra dhjetra të tjerë në ballë të Lidhjes dhe të degëve e të forcave të saj luftarake dhe më së fundi dhe të organeve të qeverisë, me kryeministër Omer Prizrenin, vunë gurin më të pare dhe më madhor në themelet e Pavarësisë.

Keywords:

Lidhja shqiptare e Prizrenit, Udhëheqës, Vilajetet e Bashkuara, administrim, kuvend

Downloads

Download data is not yet available.

References

  1. Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912 (Memorandume, vendime, protesta, thirrje), Përgatitur nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha, Tiranë, 1978.

  2. Fjalori enciklopedik shqiptar, botim i ri (Akademia e Shkencave e Shqipërisë), vëll. I, Tiranë, 2008.

  3. H. Stërmilli, Dibra në prag të historisë, Tiranë, dorëshkrim, 3 prill 1940, Material i shaptilografuar nga Muzeu Historik i Peshkopisë.

  4. G. Shpuza, Programi final i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Mbajtur si kumtesë në Seminarin IV Ndërkombëtar « Shkodra në shekuj », më 20-22 nëntor 2000 dhe botuar në aktet e Seminarit, vëll. I, Shkodër , 2002. Botuar i plotë në «Perla», 1-2/2000.

  5. G. Shpuza, Aktet themeluese të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (15 qershor 1878), kumtesë e përgatitur për Konferencën shkencore kushtuar 120-vjetorit të Lidhjes, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, qershor 1998.

  6. Konferenca Kombëtare e Studimeve për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), I, II, Tiranë, 1979, 1980.

  7. Lidhja e Prizrenit në dokumente osmane (18878-1881), Dokumentet i shqipëroi dhe i komentoi Iljaz Rexha, Prishtinë, 1878.

  8. Historia e popullit shqiptar, vëll. II, Tiranë, 2002.

  9. M. Kodra, Dibra me rrethinë në kohën e Lidhjes së Prizrenit, në “Konferenca Kombëtare e studimeve për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit 1878-1881 (12-28 qershor 1878), I, Tiranë, 1979.

  10. M. Piraku, Myderriz Ymer Prizreni, ora, zemra dhe shpirti i Lidhjes shqiptare 1877-1887, Sharr, 2003.

  11. S. Kylçe. Osmanli tarihinde Arnavutluk, Izmir 1944.

Published

2024-01-29

How to Cite

Shpuza, Prof. Dr. Gazmend. 2024. “Kryetari I Parë I Lidhjes Shqiptare Të Prizrenit Iljaz Pashë Dibra (Qoku)”. Univers 15 (15):19-28. https://albanica.al/univers/article/view/3663.

Numër

Section

Studime

Similar Articles

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 > >> 

You may also start an advanced similarity search for this article.