Vështrim mbi figurën, personalitetin dhe veprimtarinë e Aqif Pashë Elbasanit
Abstract
Për Aqif pashë Elbasanin (apo Biçakçiun(1 siç njihet jo rrallë herë në dokumente) si personalitet politik e historik, burrë shteti dhe si ndër figurat më në zë të lëvizjes kombëtare shqiptare para dhe pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, luftëtar i paepur për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet kombëtar, si një nga veprimtarët më të shquar të historisë kombëtare të shqiptarëve për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë dhe për ndërtimin, konsolidimin e demokratizimin e shtetit të pavarur shqiptar është shkruar dhe është folur pak, ndonëse për shkaqe që dihen dhe tashmë të tejkaluara, edhe sot në periudhën e demokracisë ende për të nuk ka punime në masën që e meriton dhe i takon këtij personaliteti me kontribute aq të shquara dhe të pashlyera në historinë e kombit shqiptar.
Periudha e demokracisë që siguroi dhe garantoi lirinë e mendimit e të kërkimit shkencor lejoi dhe favorizoi procesin e rivlerësimit e të rishikimit të historisë, të ngjarjeve dhe figurave të saj duke vënë në vend të vërtetën historike me objektivitetin e domosdoshëm shkencor.
Shpresojmë dhe besojmë se ky punim modest që paraqesim për këtë figure të madhe të historisë tone kombëtare është një hap në drejtim të ndriçimit të mëtejshëm të veprimtarisë së tij.
Aqif pashë Elbasani ishte veprimtar politik gjatë një harku kohor që fillon me dhjetvjeçarin e fundit të shek. XIX-të kur ai u përfshi në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe deri në fund të çerekut të parë të shek. XX, kur vdiq më 1926.
Plot 36 vjet veprimtari intensive në shërbim dhe përkushtuar kombit e atdheut të tij.
Pikërisht në këtë hark kohor Aqifit i takoi të përjetonte e të vepronte në disa nga periudhat më të rëndësishme dhe të stuhishme të historisë tonë kombëtare duke filluar nga shtypja me hekur e zjarr e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vazhdimin e qendresës antiotomane të shqiptarëve, ngjarjet e mëdha të dhjetvjeçarit të parë të shek. XX ku shquhet periudha 1910-1912 ku u zhvilluan njëra pas tjetrës çdo vit kryengritjet e mëdha antiotomane që u kurorëzuan me fitore, me Shpalljen e Pavarësisë të Shqipërisë dhe krijimin e Shtetit të Pavarur Shqiptar.
Aqif Pasha u bë një nga shtyllat themelore, më të përkushtuara, më të vendosura për kurorëzimin me sukses në favor të kombit shqiptar të proceseve historiko-politike të gjendura jo rrallëherë përballë armiqsh të jashtëm e të brendshëm.
Lindi në qytetin e Elbasanit, në një mjedis qytetar, në gji të një familjeje pasanike por me tradita atdhetare dhe përparimtare, i ati Mahmut pasha, nëpunës i vogël në administratën civile osmane, Aqifi mbaroi idadien (gjimnazin) në Elbasan dhe studimet e larta për drejtësi në Stamboll, ku u njoh dhe u lidh me qarqet atdhetare shqiptare që vepronin atje. Nën ndikimin e mjedisit qytetar elbasanas, të familjes dhe të shkollimit Aqifi u formua dhe u pajis me kulturë dhe dije të gjera, me ndjenja e shpirt liridashës që e afruan dhe e lidhën me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Në vitin 1905 Aqif Pasha ishte anëtar i Këshillit Administrativ të Sanxhakut të Elbasanit. Pas fitores së Revolucionit Xhonturk (1908) u bë Kryetar i Klubit “Bashkimi” të Elbasanit (1908). Ishte ndër drejtuesit dhe organizatorët kryesorë të lëvizjes politike, kulturore e shoqërore për përhapjen e gjuhës dhe të shkollës shqipe. Mori pjesë në Kongresin e Dibrës (1909) dhe diskutoi duke përkrahur e mbrojtur kërkesat e krahut nacionalist e atdhetar, ishte ndër organizatorët dhe kontribuesit kryesorë në mbajtjen e Kongresit të Elbasanit (1909) dhe për çeljen e Shkollës Normale (dhjetor 1909) në qytetin e Elbasanit.
Aqif pashë Elbasani ishte ndër organizatorët kryesorë të kryengritjes së përgjithshme antiotomane të 1912 dhe në organizimin e çetave të Elbasanit që morën pjesë në atë kryengritje.
Keywords:
Aqif Pashë Elbasani, histori, politikë, Lëvizja Kombëtare ShqiptareDownloads
References
-
Aqif Pashë Elbasani (1860-1926), (Përmbledhje dokumentesh). Bashkia Elbasan, Tiranë, 2012.
-
ELBASANI-Enciklopedi, Bashkia e Qytetit , Sejko, Elbasan 2003.
-
Gazeta “Përlindja e Shqipëniës”, Vlorë, 2 tetor 1913.
-
Gazeta “Përlindja e Shqipëniës”, Vlorë, 12 tetor 1913.
-
Çarls Telford Erikson, “Pesë vjet në Shqipëri” (1908-1913), Tiranë 2003.
-
Kastriot Dervishi - “Historia e Shtetit Shqiptar 1912-2005. Organizimi shtetëror, jeta politike, ngjarjet kryesore, të gjithë ligjvënësit, ministrat dhe kryetarët e shtetit shqiptar”, Shtëpia Botuese 55, Tiranë, 2006.
-
Historia e Popullit Shqiptar III, Periudha e Pavarësisë 28 nëntor 1912-7 prill 1939, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Botimet Toena, Tiranë, 2007.
-
Gazeta “Koha”, Korçë, 13 mars 1926.
References
Aqif Pashë Elbasani (1860-1926), (Përmbledhje dokumentesh). Bashkia Elbasan, Tiranë, 2012.
ELBASANI-Enciklopedi, Bashkia e Qytetit , Sejko, Elbasan 2003.
Gazeta “Përlindja e Shqipëniës”, Vlorë, 2 tetor 1913.
Gazeta “Përlindja e Shqipëniës”, Vlorë, 12 tetor 1913.
Çarls Telford Erikson, “Pesë vjet në Shqipëri” (1908-1913), Tiranë 2003.
Kastriot Dervishi - “Historia e Shtetit Shqiptar 1912-2005. Organizimi shtetëror, jeta politike, ngjarjet kryesore, të gjithë ligjvënësit, ministrat dhe kryetarët e shtetit shqiptar”, Shtëpia Botuese 55, Tiranë, 2006.
Historia e Popullit Shqiptar III, Periudha e Pavarësisë 28 nëntor 1912-7 prill 1939, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Botimet Toena, Tiranë, 2007.
Gazeta “Koha”, Korçë, 13 mars 1926.



