Vakëfi - Pasuri e komunitetit të muslimanëve
Abstrakti
Vakefët tradicionalisht kanë qenë institucione islame, në formë pasurish të tundshme dhe të patundshme, të lënë falas, me testament nga besimtarë të ndryshëm muslimanë.
Vakefët janë të hershme sa vetë besimi islam. Ato vinin gjithnjë në rritje në tre drejtime:
1. Nga lënia vakëf, pasuri me testament nga bamirës muslimanë që kishin pasuri dhe ishin me zemër të madhe.
2. Përmes ndërtimit të objekteve fetare dhe në vartësi të tyre ndërtoheshin dyqane, apo dhuroheshin toka, vreshta, ullishte, bagëti etj., të cilat jepeshin me qira dhe fitimet i kalonin objektit për mirëmbajtje, pagimin e hoxhallarëve, myftinive etj.
3. Nga fitimet e pasurisë së lëshuar me qira. Këto rritnin të ardhurat ekonomike dhe me to mbahej administrata e myftinive dhe e Komunitetit Musliman.
Në Shkodër, vakëfi i parë ishte ndërtimi i xhamisë së Hynqarit nga Bajazit I, në vitin 1478. Me kalimin e kohës në Shkodër u ndërtuan 100 xhami, 40 në qytet dhe 60 në fshat.
Fillimisht nuk kishte fitime financiare, por me përhapjen e objekteve fetare dhe fitimet filluan të rriteshin, pasi në vartësi të tyre, bamirësit ndërtuan dyqane dhe lanë prona tjera për mirëmbajtjen e tyre.
Në gjuhën arabe, "Vakëf" do të thotë i ndaluar, i bllokuar i palëvizshëm. Kurse fetarisht vakëfi është "Ruajtja e një pasurie dhe shpenzimi i përfitimeve të saj në rrugë të Allahut", (Burimi: Fikhu Es-Suneh 4/330). Në hadith thuhet: "Përdore terrenin e saj sadaka. Nuk shitet, nuk dhurohet dhe as nuk trashëgohet, por shpenzohen frutet e saj". Vakëfet kanë qenë prona të kategorisë private, por edhe të dhuruara nga shteti, sulltanët, pashallarët, vezirët etj, si p.sh., në Rragam 70 dynymë dhe në Zadrimë 45 dynymë. Ndër dokumentet më të hershme në Shkodër është ai i vitit 1529, i Ali Begut, ushtarak, i cili i la vakëf xhamisë së lagjes Alibegaj (emrin e të cilit e mori lagjja).
Në vakëfe ishin të lejuara investimet për të rritur të ardhurat, si më poshtë:
1) Dhënia e objektit me qira
2) Dhënia e qirasë me dy vlera
3) Dhënia e tokës së vakëfit për një periudhë të gjatë
4) Lidhja e një akt-marrëveshjeje mes administratorëve të vakëfit me qiramarrësin.
Pronat e vakëfeve vazhdojnë të përdoren kryesisht për të ndihmuar të varfërit. institucione islame, bamirësi, dhe për çështje tjera të kësaj natyre. Ato gjithashtu shërbejnë për mirëmbajtjen e objekteve fetare, medreseve, etj. Me krijimin e Drejtorisë së Përgjithshme të vakëfit në vitin 1916, në vitin 1917 u evidentua gjithë pasuria e vakëfit të Shqipërisë së bashku me objektet e kultit e të arsunut, të dyqaneve e tokave, etj.
Në vitin 1967, vakëfet u zhdukën plotësisht me një vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor të RSFSH. Pas vitit 1990, me lejimin e praktimit të besimeve fetare dhe organizimin e institucioneve të tyre filloi puna për rivendosjen e objekteve fetare dhe pronave të mëparshme. Gjithashtu, po ndërtohen objekte fetare dhe po dhurohen vakëfe nga muslimanë bamirës.