Fjalor i emërtimeve të shkurtuara në shqipe

Autorët

  • Prof. As. Dr. Valter Memisha
  • Manjola Bregasi

Abstrakti

Emërtimet e shkurtuara janë bërë një dukuri shumë e përhapur, veçanërisht në ditët e sotme. Ato janë shndërruar në realitete gjuhësore, sidomos në gjuhën e shkruar dhe tashmë shpesh flitet për to si realitete leksikografike. Dihet se krijimi i emërtimeve të shkurtuara është një prirje e brendshme e çdo gjuhe.
Shqipja ka me dhjetëra fusha leksikore që përfshijnë qindra a mijëra njësi të tilla, që sot po shtohen me shpejtësi të madhe.
Kohët e fundit doli nga shtypi "Fjalor i emërtimeve të shkurtuara", i cili përmban rreth 2.500 njësish.
Lidhur me strukturën e fjalorit, që në krye, duhet të pohojmë se, pavarësisht nga tradita ndërkombëtare, jemi gjendur para një dukurie të ndërlikuar.
Lënda leksikografike e përzgjedhur, është heterogjene, sepse vetë koncepti emërtime të shkurtuara është përfshirës.
Pasqyrimi leksikografik i emërtimeve të shkurtuara të gjuhës shqipe nuk ka qenë i plotë.
Paraqitja e parë është bërë në Fjalorin e Shqipes së Sotme (1984), ku u përfshinë në formë shtojce 300 shkurtesa e shkurtime, por fjalorët e tjerë shpjegues nuk kanë përfshirë rregullisht emërtime të shkurtuara.
Në disa fjalorë dygjuhësh janë paraqitur emërtime të shkurtuara (shkurtesa, shkurtime, simbole etj.) si zë më vete. Kështu, Fjalori italisht-shqip, 20064, i hartuar nga F. Leka e Z. Simoni, ka qindra shkurtesa që lidhen me gjuhën italiane; Fjalori anglisht-shqip, 20025, i hartuar nga P. Qesku ka rreth 4000 njësi, Fjalori gjermanisht-shqip, 20046, i hartuar nga A. Dhrimo, ka disa qindra të tilla.
Edhe pse emërtimet e shkurtuara në këta fjalorë janë të lidhura në radhë të parë me gjuhët e huaja, ato i takojnë edhe leksikografisë shqipe, pasi shqipja ka në përdorim një numër jo të vogël prej tyre e sidomos shkurtesa të huazuara ndërkombëtarizma. Mendojmë se shqipes i duhet një fjalor i emërtimeve të shkurtuara, edhe pse ato formojnë një klasë heterogjene tipash, nëntipash a njësish. Kjo çon domosdoshmërisht te përcaktimi i saktë i procesit dhe i emërtimit.
Në literaturën gjuhësore e jashtëgjuhësore përdoren shpesh termat shqip emërtim i shkurtuar, shkurtim dhe shkurtesë, si dhe termat e huaj abreviacion, abreviaturë, akronim, inicializëm, alfabetizëm etj. Mund të japim këtu shkurt kuptimin e këtyre termave.
Termi emërtim i shkurtuar (dhe abreviacion) është përdorur si term përfshirës, hiperonimik.
Në klasën e njësive nën këtë emërtim futen të gjitha njësitë që i nënshtrohen shkurtimit. Nuk i kemi zgjeruar kufijtë me njësi që i janë nënshtruar rënies së tingujve (si afereza, sinkopa, apokopa etj.).
Në ditët e sotme këto lloj njësish janë të kudondodhura në shtyp e televizion, në tavolina dyqanesh apo institucionesh, në çdo lloj pankarte e reklame. Edhe pse hasen kudo, ato nuk përdoren në mënyrë korrekte, si dhe mbartin probleme në formimin e tyre. Ndaj, ne menduam të ndalemi në këtë klasë emërtimesh duke analizuar atë që është shkruar për të deri tani me synimin që ta trajtojmë atë më në detaje, duke i thënë konkluzionet tonë në baza të nivelit tonë të vëzhgimit, interpretimit dhe vlerësimit.

Fjalët kyçe:

shkurtesa, gjuha e shkruar, fjalor, leksikograf, klasë leksikore

Shkarkimet

Download data is not yet available.

References

  1. H. F. Josef: Lexikographie në Handbuch der Lexikologie, Königstein 1985.

  2. R. Memushaj, Hyrje në gjuhësi, Tiranë, 2002.

  3. F. Leka, Z. Simoni, Fjalor italisht-shqip, Tiranë, 2006.

  4. P. Qesku, Fjalor anglisht-shqip, Tiranë, 2002.

  5. A. Dhrimo, Fjalor gjermanisht-shqip, Tiranë, 2002.

  6. H. Çipuri, Shkurtesat dhe vendi i tyre në terminologjinë e sotme të gj. shqipe, SF, 1988.

  7. R. c. Thomas, Akronyms and Initialsm Dictionary”, Detroit, 1970.

  8. R. d. Sola, Abbreviations Dictionary, New York, 1973.

  9. FGjSSH, Tiranë, 1980.

  10. H. Çipuri, Shkurtesat dhe vendi i tyre në terminologjinë e sotme të gj. shqipe, SF, 1988.

  11. D. Garuci, Mbi drejtshkrimin e shkurtimeve, në Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe, Tiranë, 1972.

  12. E. Angoni, Shkurtesat dhe drejtshkrimi i tyre, Gjuha jonë, 1989.

  13. Gramatika e gjuhës shqipe, Tiranë, 2002.

  14. Gramatika e gjuhës shqipe, 1, Tiranë, 2002.

  15. J. Thomaj, Leksikologjia e gjuhës shqipe, Tiranë 1999.

  16. F. Agalliu, Z. Karapizi, Cilat nga shkurtesat e huaja shqipërohen? në “Gjuha Jonë”, 2, 1983.

  17. E. Lafe, Gjuhësia shqiptare për kulturën e gjuhës, “Gjuha jonë”, 2/1981.

  18. Xh. Lloshi, Gjuha e letërsisë artistike, “Stilistika dhe pragmatika”, Tiranë 1999.

Botuar

2024-05-21

Si të citoni

Memisha, Prof. As. Dr. Valter, and Manjola Bregasi. 2024. “Fjalor I emërtimeve Të Shkurtuara Në Shqipe”. Univers 11 (11):124-37. https://albanica.al/univers/article/view/4333.

Numri

Seksioni

Studime