Mevludet në gjuhën shqipe

Autorët

  • Prof. Dr. Njazi Kazazi

Abstract

“Mevludet në gjuhën shqipe”, është produkt i punës plot pasion, vullnetit të paepur dhe mendimit shkencor të dy autorëve, prej kohësh të njohur në fushën e shkencës, arsimit dhe të kulturës shqiptare, Faik Luli dhe Islam Dizdari.
Pas shumë botimesh në një bashkëpunim të frytshëm, Luli e Dizdari, dalin para auditorit shkencor dhe më gjerë, me këtë botim gjithëpërfshirës, i pari në llojin e vet kaq i kompletuar, monografik-antologjik, me përmasa enciklopedike, duke i bërë “…një shërbim madhështor literaturës fetare islame në veçanti dhe asaj shqiptare në përgjithësi”.
Një punë e gjatë shumëvjeçare, kërkim i pandërprerë në arkiva të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit, në biblioteka (shtetërore dhe personale), në shtypin e kohës, konsultim i botimeve të veçanta në këtë fushë, solli veprën madhore që kemi në dorë, që i bën nder kulturës, gjuhës shqipe, letërsisë dhe historisë kombëtare.
Gjetja, studimi dhe shqyrtimi i të gjitha Mevludeve në gjuhën shqipe, siç theksojnë vetë autorët në parathënie “…ka qenë një punë e vështirë, megjithatë falënderojmë të madhin Zot xh. sh. që na bëri të mundur t'i dalim mbanë botimit të tyre”.
Bëhet fjalë kështu për një numër të madh mevludesh, të shpërndara dhe të botuara në treva të ndryshme shqiptare dhe në diasporë, me alfabete të ndryshme dhe që janë tregues i një kulture të pasur dhe me tradita fetare islame, kulturore e letrare.
Për vlerat e gjithanshme të kësaj monografie është shkruar në shtypin periodik dhe shkencor. Në këtë shkrim po përpiqemi të nënvizojmë veçantitë e saj në një këndvështrim më të gjerë.
Autorët, Luli e Dizdari, strukturojnë veprën në mënyrë të tillë që të kuptohet “hap pas hapi” nga lexuesit.
Libri nis me zbërthimin e konceptit “mevlud”, për të cilin autorët kanë konsultuar dhjetëra burime bibliografike: si studime, fjalorë enciklopedikë dhe gjuhësorë etj. të vendeve të ndryshme, në shqip dhe në gjuhë të huaja.
Mendojmë se vlerat e librit, veç atyre që u theksuan edhe më sipër qëndrojnë edhe në:
- Analizën e hollësishme që i është bërë çdo autori, duke theksuar vlerat e kontributin e tij.
- Shohin për herë të parë dritën e botimit disa mevlude.
- Pasurohet letërsia kombëtare dhe për vlerat që ka mund dhe duhet përfshirë, pjesë të saj, në programet e gjuhës së shkruar, letërsisë kombëtare etj., duke i dhënë këto vlera që i kanë munguar nga mosnjohja ose paragjykimi.
- Dhënien e një materiali të pasur gjuhësor, për gjendjen e shqipes në një periudhë të caktuar historike, që ndonëse është analizuar dhe gjykuar edhe nga autorët, Luli- Dizdari, me aftësitë dhe kujdesin e filologut, përsëri ka fusha studimi të reja, asnjëherë të shteruara.
- Material i pasur për didaktët që merren me mësimin e gjuhës shqipe të shkruar, mësimi i shqipes me alfabete të tjera, rrugët didaktike të përdorura.
- Vepra është model për studiuesit e rinj, madje edhe me përvojë, për mënyrën e strukturimit, ndërtimin, bibliografinë, teknikat e citimit etj. elemente të teknikës së kërkimit shkencor. - Objektivitetin në gjykimin e krijimtarisë së autorëve të Mevludeve dhe studiuesve- shkencëtarë që janë marrë me to, duke i dhënë vendin e merituar gjithsecilit.
- Për dhënien e vlerave atdhetare, ndihmesën e këtyre autorëve për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe në rrethanat e pushtimit osman.
- Vepra është shembull i korrektesës shkencore dhe respektimit të ideve dhe mendimeve të autorëve të tjerë, gjë që shihet nga bibliografia, referencat e shumta dhe citimet e përdoruara e deri te falënderimet për të gjithë ata që i kanë ndihmuar qoftë edhe vetëm me një këshillë.
- Duke vënë në dukje vlerat artistike-estetike të Mevludeve, theksohet se kanë vlera të veçanta në këtë fushë, që tregojnë për aftësitë krijuese të autorëve.
-Transmetohen mesazhe me vlera edukative universale që ngërthejnë këto vepra, që u duhen transmetuar breznive të reja, si: mirëkuptimi, dashuria njerëzore, pastërtia morale dhe fizike, ndershmëria, devocioni në punë të drejta etj., të nevojshme për të gjitha qeniet njerëzore.
Më tepër se vetes, padyshim i kanë bërë nder kulturës, historisë, gjuhës, letërsisë shqiptare me këtë vepër, duke vënë një gur themeli në traditat shqiptare, duke i vlerësuar të gjithë ata intelektualë, atdhetarë, klerikë islamë e qytetarë për kontributin e tyre, duke na i sjellë ata në ditët tona dhe jo vetëm për histori.

Keywords:

mevludet, analiza, didaktika, objektiviteti, vlerat artistike

Downloads

Download data is not yet available.

References

  1. Imam Vehbi Ismaili, Letër dërguar autorëve nga Amerika, 21 korrik 2003.

  2. F. Luli-I. Dizdari, “Mevludet në gjuhën shqipe”, Shkodër, 2002.

  3. Hafiz Ali Korça, Pesë mevlude (Në gjuhën shqipe), New York, 1991.

  4. Idriz Lamaj, “Mevludi”, New York, 1987.

  5. Zani i Naltë”, organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Drejtor përgjegjës Haki Sharofi, Viti XV i botimit, shtatuer 1937 (rexhep).

  6. Xh. Lloshi, në rev. “Gjuha jonë”, 1998.

Published

2024-05-21

How to Cite

Kazazi, Prof. Dr. Njazi. 2024. “Mevludet Në gjuhën Shqipe”. Univers 11 (11):158-68. https://albanica.al/univers/article/view/4337.

Numër

Section

Horizonte Shoqërore