Gjurmë qytetërimesh të ndryshme në veshjet popullore shqiptare

Autorët

  • Prof. Dr. Afërdita Onuzi

Abstrakti

 Historia e popujve të Evropës Juglindore është karakterizuar jo vetëm nga periudha luftërash, grindjesh e përplasjesh të dhunshme, por edhe nga periudha paqeje, gjatë të cilave u krijuan marrëdhënie shkëmbimesh e kontaktesh të ndryshme.
Në këtë mjedis, tokat shqiptare, për shkak të pozicionit gjeografik midis Lindjes e Perëndimit, qysh në periudhat antike u kthyen në vendkalime kryesore, ku dhe përplaseshin dhe shkëmbeheshin qytetërimet që vinin nga të dy drejtimet. Edhe në periudhat në vazhdim fati historik i përbashkët me popujt e tjerë të Evropës Juglindore, (nën Perandorinë Bizantine e atë Osmane), ndikoi në afrimin kulturor të tyre.
Në pamundësi për një trajtim të fushave të ndryshme të krijimtarive popullore në këtë shkrim do të kufizohem në gjurmët e qytetërimeve të ndryshme të ruajtura në veshjet popullore, të cilat përveç elementeve tradicional vendase, kanë ruajtur edhe elemente të veçanta që përcjellin jehonën e qytetërimeve të ndryshme, që ndikuan në krijimin e modës së veshjeve popullore shqiptare.
Deri në shek. XIV-XV moda e veshjeve qytetare shqiptare ishte me plot elemente të veshjeve të modës bizantine. Si burrat dhe gratë mbanin lloje tunikash të gjata me mëngë të modeluara në formë trapeze, që zgjateshin deri në shpinën e dorës. E gjithë veshja zbukurohej me lloje qëndismash të shumta e shirita, të bërë me fije ari, të cilat zgjateshin në drejtim vertikal. Pas shek. XVI-XVII e sidomos gjatë gjysmës së parë të shek. XVIII, në qendrat e zhvilluara qytetare shqiptare, u futën në përdorim gjerësisht veshjet e stilit oriental, të njohura si veshje “stambollie”. Për shkak të vlerave estetike, ato u bënë modë e përgjithshme pothuajse në të gjitha qytetet ballkanike (përfshirë edhe ato shqiptare).
Dihet se moda fillimisht futet në shtresat e pasura e më pas në shtresat e tjera. Në qytetet kryesore shqiptare të asaj kohe si Shkodër, Prizren, Pejë, Elbasan, Berat, Gjirokastër, Vlorë, Janinë etj, veshjet “stambollie”, u përhapën jo vetëm tek popullsia e myslimanizuar, por edhe tek ajo e besimit të krishterë.
Në Shqipërinë e asaj kohe ekzistonte një shtresë elitare që jetonin e visheshin me luks të vërtetë duke imituar shtresat e pasura të kryeqendrës së Perandorisë. Por duhet thënë se tiparet e veshjeve qytetare të shtresave të larta të asaj kohe, ende lëkundeshin midis modës perëndimore dhe asaj lindore. Vetëm në gjysmën e dytë të shek XVIII ato u kthyen plotësisht sipas modës lindore.
Fillimi i shek. XX solli ndryshime të ndjeshme në veshjet e zonave fshatare. Kryesisht ndryshoi materiali me të cilin bëheshin pjesët e ndryshme. Tashmë mallrat industriale filluan të qarkullojnë më shumë jo vetëm në qytete, por edhe në tregjet apo panairet që zhvilloheshin në kryqëzime fshatrash e krahinash të ndryshme. Pëlhurat e endura në avlëmendet shqiptare të përdorura si në veshjet e grave dhe të burrave, filluan të zëvendësohen me materiale të fabrikuar, të ardhura nga Lindja e Perëndimi.

Fjalët kyçe:

historia, krijimtaritë popullore, qytetërimet, veshjet popullore, moda

Shkarkimet

Download data is not yet available.

Botuar

2024-07-18

Si të citoni

Onuzi, Prof. Dr. Afërdita. 2024. “Gjurmë qytetërimesh Të Ndryshme Në Veshjet Popullore Shqiptare”. Univers 10 (10):91-95. https://albanica.al/univers/article/view/4578.

Numri

Seksioni

Studime