Një jetë për jetën

Autorët

  • Prof. dr. Shefik Osmani

Abstrakti

I lindur dhe i edukuar në një familje atdhetare dhe besimtare islame, dr. Shefqet Ndroqi, gjatë gjithë jetës së tij, u përkushtua në shërbim të jetës njerëzore.
Dr. Shefqeti, formimin dhe arsimin e parë e mori në vendlindje dhe, pas mbarimit të gjimnazit, kreu studimet e larta të mjekësisë në Universitetin e Sorbonës (1933-1939). Fillimisht punoi si intern në spitalin Fonteblos dhe spitalin Laenek të Parisit, ku u specializua për sëmundjet e tuberkulozit dhe të mushkërive.
Pushtimi fashist i Shqipërisë e gjen Shefqetin midis studentëve shqiptarë të përfshirë aktivisht në protesta kundër këtij pushtimi.
Në Francën e pushtuar nga trupat hitleriane, atij i ngarkohet detyra e shpërnguljes së 45 fëmijëve të sëmurë dhe 25 grave shtatzëna nga Parisi për në Perige.
I gatuar me tharmin e atdhedashurisë, dr. Ndroqi nuk mund të qëndronte në Francë dhe larg nevojave të shqiptarëve. Më 18 dhjetor të vitit 1941 fillon punën si ftiziatër në Spitalin Civil të Tiranës, ku organizon Këshillin e Mjekëve të Rinj për ndihmë mjekësore të lëvizjes çlirimtare. Gjatë periudhës tetor 1944 deri në shkurt 1945 caktohet në Brigadën e 7-të S, ku punon në spitalin e parë partizan të Peshkopisë dhe angazhohet për diagnostikimin dhe shërimin e tifos dizanterike në zonën e Dibrës së Madhe. Më vonë, me gradën Kapiten II, shërben si shef i Repartit Infektiv dhe i Tuberkulozit në Spitalin Ushtarak e, në shtator të vitit 1945, hap repartin e ri të tuberkulozit, si edhe repartin e Voskopojës. Pas vitit 1953 vazhdoi punën si shef i Repartit të Ftiziatrisë dhe kirurgjisë torakale.
Konkluzionet e tij shkencore ndihmuan në organizimin e punës mbi trajtimin dhe profilaksinë e sëmundjeve pulmonare.
Shërimin e tuberkulozit, dr. Ndroq e realizoi sipas një strategjie të menduar e studiuar mirë e në përputhshmëri me kushtet specifike të vendit, në kushtet e nivelit ekonomik e kulturor të pacientëve të tij. Kujdes të posaçëm ai i kushtoi profilaksisë së pacientëve në dispenceritë duke filluar që nga kartotekat, diagnostikimit, kurimit ambulator, vaksinimit, shënimit dhe rregullimit të kartotekave, për të vazhduar me depistimet fluorografike. Vitet 1945-1990 janë vitet e suksesshme në shërimin e sëmundjes së tuberkulozit në vendin tonë falë kontributeve të dr. Ndroqit, i cili diti të zbatojë politika pune të efektshme dhe origjinale.
Në vitet 1990-1993, dr. Ndroqi shprehu shqetësimin e tij rreth problemit të SIDA-s dhe drogës, si faktorë që ndihmojnë në gjallërimin e tuberkulozit.
Dr. Ndrogi la pas në shërbim të mjekësisë shqiptare një erudicion të pasur të përbërë nga rreth 5000 faqe dhe 63 botime.

Gjatë gjithë jetës së tij si mjek, Dr. Ndroqi u drejtua nga parimet e larta të humanizmit. Në klimën e re të krijuar në vendin tonë për lirinë e besimit, dr. Ndroqi ishte ndër iniciatorët e rifillimit të jetës fetare në Shqipëri.
Ai ndërroi jetë me 23 shkurt 2001 në moshën 89-vjeçare duke lënë pas modelin e njeriut që me të gjitha forcat trupore e shpirtërore vihet në shërbim të njerëzimit, modelin e mjekut të përkushtuar në misionin e tij. Personaliteti emblematik i këtij mjeku mbetet shembull për nxitje e frymëzim ndaj vlerave të mëdha njerëzore.

Fjalët kyçe:

atdhetar, besimtar, shërbim mjekësor, humanizëm

Shkarkimet

Download data is not yet available.

Botuar

2024-07-18

Si të citoni

Osmani, Prof. dr. Shefik. 2024. “Një Jetë për jetën”. Univers 10 (10):243-47. https://albanica.al/univers/article/view/4670.

Numri

Seksioni

Botime në fokus