Një monografi kushtuar objekteve të kultit musliman
Abstrakti
Këto ditë doli nga shtypi dhe u vu në qarkullim një monografi e re nga fusha e studimeve të historisë së arkitekturës shqiptare, që i kushtohet një gjinie të caktuar të kësaj arkitekture, xhamive, të ndërtuara nga shek. XV e deri në shek. XIX.
Ndërtimi i këtyre faltoreve të besimit musliman, në një periudhë historike jo të shkurtër, së bashku me gjini të tjera të ruajtura, kundruar si dukuri arkitektonike, formojnë një tablo me interes për kohën.
Siç theksohet në libër, ndër monumentet e kultit musliman që trashëgojmë nga e kaluara, xhamitë zënë vendin kryesor për nga numri, vlerat e përhapja. Po ashtu, ndryshe nga gjini të tjera ndërtimore të së njëjtës periudhë, për to ka krahasimisht më shumë të dhëna, botime nga studiues e udhëtarë bashkëkohës dhe dokumentacion arkivor.
Libri ka për autor prof.dr. Aleksandër Meksin, një historian i njohur i arkitekturës që trashëgojmë nga e kaluara. A. Meksi, së bashku edhe me kolegë të tjerë, ka dekada që është angazhuar në gjurmimin, dokumentimin, mbrojtjen e restaurimin e monumenteve të arkitekturës në Shqipëri, veçanërisht me ato të kultit.
Në monografi del e qartë se këto ndërtime zënë një vend të rëndësishëm në arkitekturën shqiptare. Ato janë ngritur në të gjitha trevat e banuara nga shqiptarët gjatë shekujve XV-XIX, duke mbetur dëshmi të qarta të një periudhe mjaft domethënëse në historinë e këtij populli. Lexuesi i interesuar merr informacion për studiues që gjurmuan në terren, dokumentuan e studiuan këto monumente kulti, ku spikasin, në mënyrë të veçantë, dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XX, për çka lexuesi njihet dhe me emra konkretë, në radhët e të cilëve hyn padyshim dhe vetë autori i kësaj monografie.
Në mbyllje të këtyre shënimeve modeste, po ndalem te ndonjë tipar thelbësor të kësaj monografie:
1. Studimet e derisotme, përfshirë dhe librin që kemi në dorë, janë një kontribut me vlerë; ato, të marra së bashku, plotësojnë tablonë njohëse të arkitekturës së shek. XV-XIX, flasin për shkallën e zhvillimit të kësaj arkitekture e nivelin e mjeshtërve të ndërtimit. Ato dëshmojnë se edhe xhamitë, si ndërtime të kultit musliman, janë pjesë natyrore e arkitekturës sonë mesjetare, mbeten krijimtari autentike e popullit shqiptar.
2. Me gjithë arritjet, studiuesve të fushës u qëndrojnë përpara probleme, të tilla si: nevoja e ngutshme e shtrirjes së gjurmimeve e studimeve në të gjitha trevat e banuara nga shqiptarë, çka do të çonte në nxjerrje përfundimesh tërësore e jo për një trevë të kufizuar. Po ashtu, duhen zgjeruar e thelluar kërkimet, përveç në AQSH, edhe në arkiva të Turqisë, ku do të mund të siguroheshin të dhëna për aspekte, të tilla si: lejet e ndërtimit, porositësit e ndërtuesit, ndikime e lidhje me kryeqendrën e me provinca të tjera. Edhe botimi me kritere shkencore i veprës “Mbishkrimet e ndërtimeve turko-arabe në Shqipëri”, i Vexhi Buharasë, apo vazhdimi i botimit të Regjistrave të popullsisë, dhe i atyre të taksës së xhizjes, shënojnë një ndihmesë tjetër për thellimin e studimeve të deritanishme. Një moment të rëndësishëm përbën edhe nevoja e njohjes më mirë të veprave të arkitektëve shqiptarë në Perandorinë Osmane, e kontributit të këtyre arkitektëve e ndërtuesve, qoftë në atdheun e tyre, ashtu dhe në qendra të asaj Perandorie, përfshirë, veç arkivave, edhe botime të reja e ende të panjohura.
3. Vëmendje dhe përkushtim i duhet kushtuar, jo vetëm përkujdesjes dhe vlerësimit të xhamive të ruajtura, por edhe kuadrit specialist të nevojshëm, kualifikimit e trajtimit të organizuar të tij, në përputhje me kohën e kërkesat e saj. Vetëm në këtë mënyrë do të ruhet e konsolidohet vazhdimësia gjurmuese e studimore, si dhe do vazhdoj të hidhet dritë mbi identitetin tonë kulturor si popull e si komb.