Revista “Univers” dhe progresi shkencor
Abstrakti
Sot kemi në dorë numrin 10 të revistës shkencore-kulturore “Univers”. Në këto 10 numra, me cilësinë e materialeve të botuara në të, ajo ruan vendin e merituar prej kohësh, si një nga botimet më dinjitoze e më të njohura për lexuesin e gjerë në trevat shqipfolëse.
Revista botohet nga Departamenti i Studimeve dhe Kërkimeve pranë Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam, me drejtor Dr. Ramiz Zekaj.
Që nga numri 1 i saj (pranverë 2001) revista ka pësuar ndryshime të rëndësishme. Është shtuar rrjeti i bashkëpuntorëve, është rritur cilësia e shkrimeve, është zgjeruar interesi i lexuesve, (aqsa ata që kanë lexuar një numër të saj, i kërkojnë numrat e tjera si lexuesit brenda ashtu edhe ata jashtë vendit), rrjedhimisht është shtuar edhe sasia e faqeve tëlëndës që ajo ofron. Kjo arritje realizon edhe qëllimin e saj për të bërë të njohur trashëgiminë shkencore e kulturore, që kanë lënë dijetarët dhe shkencëtarët muslimanë e jomuslimanë, shqiptarë e të huaj, trashëgimi kjo e lënë pas dore deri më sot dhe që vazhdon të ruhet nëpër arkivat e bibliotekave shtetërore e private në Shqipëri dhe jashtë saj.
Revista ka synuar të ndihmojë në begatimin e kulturës sonë, nëpërmjet gjashtë rubrikave që përmban, si: studime, horizonte shoqërore, art dhe kulturë, opinione, dokumente e botime në fokus.
Në arritjet e revistës është edhe përfshirja e një game të gjerë studimesh, në lëmi të tillë si në shkencat albanologjike, besimin, publikimin e dokumenteve historikë, çështjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, për tolerancën ndërfetare, paraqitjen e islamit si religjion shoqëror e qytetar, shkollën, edukimin, artet, rolin e këtij besimi në urbanizimin, tregëtinë, familjen, në organizimin e institucioneve shtetërore e sociale, monumentet e shumta të kulturës shqiptare etj.
Revista ka hedhur dritë, nëpërmjet studimeve dhe artikujve shkencorë mbi shumë pikëpyetje, të cilat nuk janë sqaruar plotësisht si prejardhja e popullit dhe e gjuhës tonë e mjaft të tjera. Ajo përpiqet të nxjerrë në pah të vërtetën shkencore, pa asnjë lloj mbulese dhe pa asnjë lloj ndikimi të brendshëm apo të jashtëm.
Ajo që bie në sy në shkrimet e botuara prej saj është liria e plotë që ka autori për të shprehur idetë dhe mendimet e veta, pa u ndikuar aspak nga opinioni i redaksisë, duke i lënë të pavarura dhe të respektueshme liritë krijuese dhe të drejtat e tij. Duke trajtuar tema me karakter shkencor-kulturor-artistik, secili autor, mbi bazën e bindjeve shkencore që ka, e shtjellon temën duke u mbështetur në botëkuptimin e vet. Natyrisht, këto shkrime i përshkon fryma e tolerancës, mirëkuptimit, klima e bashkëpunimit, duke pasur gjithmonë në bazë të vërtetën shkencore, që Kurani gjithnjë i ka hapur rrugë. Redaksia e revistës është përpjekur të transmetojë te lexuesi atë çka i është dukur më me vlerë më e saktë nga shkrimet e botuara në "Univers".
Me 10 numrat e saj, revista i ka dhënë lexuesit një tirazh prej mbi 3200 faqesh ose afërsisht 330 faqe për çdo numër. Në këto faqe janë botuar 260 shkrime nga autorë të ndryshëm, si studjues të Kuranit, shkencëtarë, historianë, analistë, artistë, teknikë etj. Përveç shkrimeve të autorëve shqiptarë, revista ka botuar ese edhe përkthime të zgjedhura nga autorë të huaj.
Redaksia e revistës ka punuar për shtimin e bashkëpunimit në frymën e mirëkuptimit dhe ka synuar gjithmonë të publikojë studime shkencore të thelluara, nëpërmjet paraqitjes së argumenteve e hulumtimeve shkencore, për vetitë e larta të moralit islam duke depërtuar në rradhët e lexuesve të moshave dhe profesioneve të shumta, me qëllimin e mirë për të shtuar dashurinë për njeri-tjetrin pa dallim idesh, sektesh, krahinash, shtetesh etj.
Në artikujt e botuar në revistë janë shfaqur opinione për ngjarje të spikatura dhe dukuri të zhvillimeve historike, për filozofinë, për letërsinë, për shkencat natyrore etj, që jo në pak raste kanë lënë shteg për vazhdimin e diskutimit të tyre edhe nga këndvështrime të tjera. Kështu, opinionet kanë lënë gjithnjë hapur portat e diskutimit.
Shkenca është pjesë përbërëse e Islamit. Sipas kësaj doktrine, shkenca dhe arsyeja janë sovrane brenda kufinjve të fushëveprimit të tyre. Krijuesi i Botëve nuk mund të njihet pa ia njohur veprën. Sa më shumë të thellohemi në botën e fshehtësive të universit, aq më tepër do të njihemi me ligjet e Tij, aq më qartë do të dalë përpara nesh prania e Tij, përsosmëria e Tij. Çdo gjeneratë përgjigjet për misonin e vet historik. Jeta vazhdon ecjen e saj përpara duke lënë prapa gjurmët e veta. Kjo ka bërë që “Universi” duke qenë tribunë e mendimit të lirë, niset edhe nga parimi që e vërteta jo vetëm që duhet të njihet, porse duhet edhe të përjetohet.
Gjithashtu, revista jonë, është përpjekur dhe do të përpiqet të shtrojë probleme kardinale që kanë të bëjnë me konceptet bashkëkohore, interesa gjithëshqiptare, arritje shkencore aktuale, tema historike të diskutueshme, suksese të revolucionit të sotëm teknik, pikëpamje dhe qendrime të brezave etj. Në këtë vështrim në rrafshin e traditës dhe integrimit si dy fenomene të pandara, por secili me veçoritë e veta. Tradita ka veshjen e saj shekullore që e përfshinë edhe integrimin. Nga ana tjetër integrimi i jep asaj ngjyrë të re, elementë të rinj dhe bëhet pjesë e saj, e kthen në një mjet të konsoliduar, sepse punojnë për të njëjtin qëllim.
Është detyra e të diturve të ecin në një radhë me të përparuarit. Të tillë qenë rilindësit tanë të medhenj, që brumosën njeriun shqiptar me vlerat më të çmuara diturore e morale të traditës në funksion të rrugës së re drejt së ardhmes, e bënë atë të ndihet trim, guximtar dhe të zgjuar në politikë, të drejtë në vendime, vëllezër të besës me njerëzit e tjerë, qytetarë ballëhapur.
Redaksia e revistës bashkëpunon ngushtë me bordin këshillimor, antarë të të cilit janë 24 personalitet nga më të shquarit nga Tirana, Damasku, Teherani, Zyrihu, Prishtina, Gjakova, Shkupi, Amesterdami, Ulqini, Athina, Amani, Dubai, Tetova, Shkodra, Novi Pazari, Sarajeva etj.
Revista ka një numër të madh bashkëpuntorësh të njohur gjerësisht si personalitete shkencore në fushat përkatëse, si, akademikët Prof. Shaban Demiraj, Prof. Jashar Rexhepagiq, Prof. Bedri Dedja, Prof. Hamit Beqja, studjues dhe profesorë të universiteteve të vendit si Prof.dr. Myzafer Xhaxhiu, Prof.dr. Shefik Osmani, Prof.dr. Hysni Myzyri, Prof.dr. Musa Kraja, Prof.dr. Ramazan Bogdani, Prof.dr. Gjovalin Shkurtaj, Prof. Basil Schader, Prof, Dr, Gazmend Shpuza, Prof.dr. Emin Riza, Prof.dr. Jup Kastrati, Dr. Feti Mehdiu, Prof. dr. Qazim Dushku, Mr. Qemajl Morina, Prof. Dr. Agron Xhagolli, Prof. dr. Afërdita Onuzi, Prof.dr. Yllka Selimi, Prof.dr. Beqir Meta, Prof.dr. Qazim Xhelili, Prof. dr. Muharrem Dezhgiu, Prof. dr. Muhamed Arnauti, Prof.dr. Sokol Shupo e shumë e shumë të tjerë.
Edhe në të ardhmen revista “Univers” do të vazhdojë të pasqyrojë në rubrikat e saj refleksione rreth hopeve të mëdha zhvillimore të shkencave të ndryshme, të pasqyrojë arritjet në teknikë dhe në industri, të bëjë të njohur traditën pozitive në kuadrin historik, të bëjë të njohur artet figurative që gjallërojnë motive fisnike, folklorin e pasur të vendit, duke u hapur kështu rrugën studimeve dhe veprimtarisë së mirëfilltë, duke stimuluar çdo nismë në këtë drejtim.
Në rubrikat e saj studjuesit, historianët, shkencëtarët, hulumtuesit e opinionistët e të gjitha fushave, do të kenë mundësinë të shprehin pikëpamjet e tyre, të paraqesin qendrimet e veta, duke ndihmuar kështu në ballafaqimin e ideve, në diskutimin e tezave që mbrojnë, në argumentimin e fakteve që paraqesin. Duke njohur mirë realitetin tonë, duke qenë të vetëdijshëm për mundësitë tona, duke pasur parasysh arritjet e qytetërimit aktual botëror, të kapërcejmë pragjet e pakaluara deri më sot dhe të mbështetemi fuqimisht në vlerat e kombit tonë, të cilat jo vetëm nuk mungojnë, por janë shumëdimensionale.
Me ftesën për bashkëpunim që u ka bërë dhe do t’ju bëjë shkencëtarëve, artistëve, teknikëve etj ajo synon t’i vijë në ndihmë mirëkuptimit, progresit, paqes, punës etj.