Është revistë shkencore e Institutit Albanologjik. Revista botohet për çdo vit. Kjo revistë, rrugëtimin e fillon nga viti 1962, kur edhe u botua numri i parë, që asokohe ishte organ i Katedrës së Albanologjisë të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Kryeredaktori i parë i kësaj reviste ishte Profesor i nderuar Idriz Ajeti, ndërsa redaksia përbëhej nga Ali Hadri, Enver Gjerqeku, Shefqet Pllana dhe Idriz Ajeti. Pra, kjo revistë shkencore filloi të botohej dy vjet pas hapjes së Fakultetit Filozofik në Prishtinë më 1960. Shkrimet në këtë revistë, botoheshin në dy gjuhë, në shqipe dhe në serbishte. Punimet në numrin e parë, ishin nga fusha e gjuhësisë, historisë dhe folklorit. Punimet shoqëroheshin edhe me nga një rezyme në gjuhë të huaj si: gjermanisht, frëngjisht e rusisht. Revista nuk u botua rregullisht, në vitin 1965 u botua një vëllim, numri 2, në vitin 1966 doli një vëllim, numri 3. Me rastin e rithemelimit të Instituti Albanologjik, më 1967 revista fillon të botohet si organ i këtij Institucioni. Në vitit 1968, botohen dy numra edhe dy numra në vitin 1969. Në vitin 1970 u botua një dynumërshi (1 dhe 2). Nga vitit 1971, revista profilizohet në tri seri, Gjurmime albanologjike - seria e shkencave gjuhë dhe letërsi, seria e shkencave folklor dhe etnologji dhe seria e shkenca historike. Instituti Albanologjik në vitin 1985 fillon me nxjerrjen e serisë së “Gjurmimeve albanologjike” në gjuhë të huaj, në gjuhën frënge aty-këtu edhe, ndonjë tekst në gjuhën gjermane, me titullin “Recherches albanologique”, e cila vazhdon deri në vitin 1987. Pra, dalin gjithsej katër numra. Ndërsa në vitin 2015, fillon me nxjerrejn e serisë në gjuhën angleze, me titullin “Albanologycal researches” dhe deri më tani është botuar 1 numër. Në këtë revsitë botohen punime nga fusha e albanologjisë, të bashkpunëtorëve të brendshmëm dhe të jashtëm nga hapsirat shqiptare, Ballkani, Europa dhe bota. Deri me tani nga tri seritë, në gjuhën shqipe janë botuar 55 numra.