Hipotezë për një udhëtim ideologjik
DOI:
https://doi.org/10.71398/as.v19i19.490Abstract
Në mars të vitit 2011, një tërmet i fuqishëm goditi Japoninë. Ai u ndoq nga një cunam vdekjeprurës, që shkaktoi dëme të pamatshme në centralin bërthamor të Fukushimës, duke shkaktuar mijëra vdekje dhe një katastrofë të vërtetë ekologjike dhe shoqërore të përmasave të paimagjinueshme. Në këtë pikë të jetës po jetoj në Japoni dhe e ndiej veten thellësisht të tronditur nga realiteti që po jeton Tokio. Pikërisht në ato çaste vendos të lidhem me regjisorin dhe shkrimtarin Harun Farocki (1944-2014), duke i propozuar që të xhirojmë një videoprojekt në Berlin gjatë verës së atij viti. Me Farocki-n njihemi ndërkaq, pasi veç pak muaj më parë kisha organizuar një kumtesë rreth filmografisë së tij në Universitetin e Vasedas (University of Waseda) në Tokio. Projekti im i ri do të titullohet Hipotezë për një udhëtim ideologjik dhe do të flasë për bashkërendimin e kujtesës historike me arkivin, për filmin si arkiv, kujtesën kolektive dhe atë historike të një qyteti si arkiv. Farocki pranon të bëhet pjesë e projektit dhe unë i nis dy pyetje: “Nga se përbëhet kujtesa historike e publike e një qyteti dhe ç’funksion ka arkivi?” dhe “Ç’kuptim ka ta regjistrosh (dhe kësisoj ta arkivosh) një revolucion?” Pyetja e dytë frymëzohet nga filmi i Farocki-t dhe Andrei Ujică-s Videograms of a Revolution (Videograme të një revolucioni) (1992). Intervistën me Farocki-n e xhiruam bashkë me Diego Cossentino-n në mëngjesin e 14 qershorit 2011. Gjithashtu, grumbulluam edhe disa orë xhirime nga zonat e Berlinit, që kishin pësuar ndryshime radikale arkitekturore, që prej vitit 1989. A mund ta shohim ideologjinë si një rrugëtim? Nëse po, do të ishte një rrugëtim zbulimi, rritjeje apo ëndërrimi? Mos ndoshta, akti i zgjedhjes së një ideologjie a të një sistemi politik, filozofik ose ekzistencial vlerash është një udhëtim veç vajtjeje? Apo është gjithmonë e mundur të përshkosh sërish hapat e tu, pasi ke bërë disa zgjedhje të caktuara? A është vetë zgjedhja e kthyeshme? A diktohet kuptimi i një zgjedhjeje (ekzistenciale ose politike) nga vrulli shtytës apo nga hipoteza e një rikthimi, e një rivlerësimi? Nëse rrugëtimi ideologjik i paraprin ose, më së paku, nuk e përjashton mundësinë e “një rikthimi”, cili është roli i arkivit në gjithë këtë? A mund të konsiderohet legjitim shkrimi dhe rishkrimi i historisë sipas “ripozicionimeve” tona ideologjike? Vetë rrugëtimi, si një përvojë e matshme e një tjetër bote dhe kulture, a mund të jetë një përvojë kaq përmbledhëse, sa të na bëjë të rimendojmë, madje edhe të heqim dorë nga një zgjedhje ideologjike, që fillimisht na dukej e pashmangshme? A mundet rrugëtimi, kjo lëvizje e trupit dhe e mendimit, të jetë edhe një mjet ndaljeje dhe pranimi që tjetri është i ndryshëm? Këto janë pyetjet që përpiqet të shtrojë Hipoteza për një udhëtim ideologjik. Videoja u xhirua në vitin 2011, por u montua dhe u publikua në faqen në linjë të DebatikCenter of Contemporary Art (Qendra e Artit Bashkëkohor Debatik) pranverën e vitit 2020, ndërsa ishte gjendja e karantinës prej pandemisë COVID-19
Firence, 8 prill 2020



