Novelë e përftuar mbi modelin e përrallës gojore
Abstract
Si formë e të shprehurit të dukurive e të ngjarjeve që kanë ndodhur ose që kanë mundur të ndodhin ose të shqiptimit të botës së brendshme të subjekteve, që i krijonin dhe i përcillnin ato gojarisht, rrëfimi qe pjesë e pandashme e njeriut qysh në periudhën kur ai u bë i vetëdijshëm për veten e për jetën – fatin e tij.
Përralla është, pa dyshim, një nga format më të ngritura dhe më magjepse si lloj e formësim letrar, jo vetëm i letërsisë gojore, por edhe i artit të fjalës në përgjithësi. Në rrjedhë të qindvjetshave, nën ndikimin e përrallës gojore dhe sipas modelit të saj, shumë shkrimtarë i hartuan veprat e tyre poetike osei përftuan përrallat e shkuara, të cilat me artin e tyre ndikuan në pasurimin e letërsisë në përgjithësi e në pasurimin e shpirtit të njeriut në veçanti.
Ky shkrim synon të krahasojë novelën “Gjahtarët e Nuselalës” të shkrimtarit Hysen Kobellari, me mënyrën e ndërtimit, të shqiptimit të dukurive të botës si dhe të përftimit të rrëfimit poetik, të veçantë e të pasur, afrohet për shumëçka me botën e përrallës gojore, e cila shekuj me radhë u përcoll prej një individi tek tjetri, prej një brezi në tjetrin.



