Lajmëtarët e vrarë

Autorët

  • Visar Zhiti

Abstract

Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore Shqipëria mori anën e drejtë të historisë. Teksa pushtohej dhe vritej, qëndroi dhe u hodh në sulm për lirinë, duke provuar ndërkaq një egërsi të pa mëshirshme ndaj vetes.
Në agun e çlirimit shqiptarët nga të mundur dolën në krah me fitimtarët. Për fat mes gjindjes gjendeshin dhe ata që e donin si idealistë atdheun, luftonin për të, që të ishte vetvete, sa më e begatë, e hapur me botën. Poetë, dijetarë, mësues, gazetarë, politikanë, etj, që kishin studiuar nëpër qytetet e mëdha europiane, misionarë të ringjalljes së kombit, ishin dhe lajmëtarët e Europës si kulturë dhe shpirt i përbashkët.
Dhe çuditërisht si në një mallkim ata u vranë të parët...
Kam ëndërruar një antologji me shkrime, poezi, prozë, përsiatje, pjesë ditarësh të atyre që u vranë. Një rënkim i thellë më përftohej heshturazi, më bëhej se dëgjoja luftën, vrasjet pas shpine, zvarritje, thyerje kockash, mbarim të frymës, qelira, kërkëllima hekurash, tortura, oshtima të një breshërie plumbash dhe më pas... si vazhdim i munguar i këtyre krijimeve të mbledhura andej-këndej, rridhte gjaku i ngrohtë i krijuesve të tyre.
Gjithçka duhej t’i shërbente sundimit të ri, edhe arti.
Ndërkaq doktrina e sundimtarëve nuk ishte përfunduar ndonjëherë nga doktrinarët e saj themeltarë dhe nuk u kuptua nga zbatuesit, sidomos shqiptarët, por që kishte në thelbin e vet si motor zhvillimi të historisë luftën e klasave, pra një lloj lufte civile në kohë paqeje, e shndërruar në urrejtje permanente të përditëshme dhe atje ku nuk gjendej zgjidhja, vepronte asgjësimi, e pranuar dhe si arritje.
Sundimtarët e rinj ishin egërsisht të gatshëm për vazhdimin, për njeriun e ri në një botë të re.
Por, nëse njeriu dhe bota janë të gjithmonta e nuk bëhen as të reja e as të vjetra, por bashkë, në kohën që ikën dhe në kohën që vjen, rikrijojnë pa ndërprerje vetveten, Botë dhe Njeri? Përsosen natyrshëm, duke forcuar një ekzistencë solide, etj, etj, në përpjekje me të tashmen, mes konfliktesh dhe arti është një tjetër botë në botën tonë, një tjetër realitet, që ndikohet patjetër nga realiteti dhe ndikon në realitet.
Ata që deshën një Shqipëri normale, me një jetë normale, të hapur, të lidhur me Europën dhe botën, duke ruajtur identitetin, por dhe përvojën e marrë nga kontaktet me Lindjen, të cilat u bënë pjesë qenësore, kur ngrinin zërin për t’iu rikthyer Europës tonë, të cilën një herë e kishim humbur me pushtimin 5 shekullor otoman dhe tani po vetëndaheshim me të padrejtë prej saj, ndëshkoheshin, ndërsa si poetë edhe vriteshin.

Keywords:

Lufta e Dytë Botërore, Shqipëria, shqiptarët, sundimtarët, Evropa

Downloads

Download data is not yet available.

Published

2024-01-16

How to Cite

Zhiti, Visar. 2024. “Lajmëtarët E Vrarë”. Univers 16 (16):58-70. https://albanica.al/univers/article/view/3514.

Numër

Section

Studime

Similar Articles

<< < 

You may also start an advanced similarity search for this article.