Rilindja e jetës mendore
Abstract
Ringjallja e jetës mendore të popullit duhet për të krijuar njeriun-qytetar.
Ky përbën shqetësimin kryesor të mendimtarëve shqiptarë të periudhës së Rilindjes, kur shtrohej çështja e ndërtimit të shtetit shqiptar.
Që ky shtet të bëhej demokratik, duhej të formohej qytetari.
Është me interes të kujtojmë një parim të rëndësishëm të shoqërisë demokratike, që lidhet me qytetarinë.
Qytetaria është burimi i pushtetit në sferën publike. Mund të jesh anëtar i një shoqërie, pa qenë qytetar i saj.
Në qoftë se qytetari nuk ka akces në sferën publike, duke mbetur i mbyllur në sferën private, ai nuk mund të ushtrojë presionin ndaj qeveritarëve.
Një demokraci kërkon qytetarë me cilësi specifike. Është e rëndësishme që ata të jenë zot të vetvetes, xhelozë për lirinë dhe autonominë e tyre dhe të prirur për të bashkëpunuar me të tjerët.
Nuk është demokratike të përhapësh urrejtjen dhe fanatizmin. Ky mbetet një parim shumë i rëndësishëm për shoqërinë demokratike.
Për këtë nuk ka nevojë për komente të gjata, por do të doja të citoja një këshillë të Tokëvilit për politikanët evropianë, që ai e nxori nga përvoja amerikane: “Thuhet se sovranët e kohës sonë kërkojnë që të bëjnë me njerëzit gjëra të mëdha. Do të dëshiroja që ata të ëndërrojnë pak më shumë se si të bëjnë njerëz të mëdhenj; që ata të çmojnë më pak veprën dhe punëtorin dhe të kujtohen pareshtur që një komb nuk mund të mbetet i fortë, për një kohë të gjatë, kur çdo njeri është i dobët individualisht dhe nuk ka gjetur format sociale që të mund ta bëjë një popull energjik, duke e formuar me qytetarë të paguximshëm dhe të flashkët”.
Mithat Frashëri do të shkruante: “Shqiptari ka ambicion personal fort të zhvilluarë; ky ambicion është vëlla e motër me kotësinë”.
Cila është e keqja e kotësisë për të rinjtë?
“Kotësia i jep nakar njeriut, e bën që të mos durojë një tjatrë më të mirë, më të diturë, më të pasurë, më të nderuarë se vetveten e tij. Kotësia është vesi, sëmundja më e përhapur në djemtë shqiptarë: ajo është fara prej së cilës do të dalin të metat dhe fajet e pastajmë. Kotësia e ngurr zemrën, e ftoh shpirtin, e bën njerinë të ashpër dhe të egrë, e largon nga shoqëria dhe prej shoqërimi”.
E vetmja rrugë për të dalë nga kjo gjendje historike pa krye është që të ecim përpara duke e shpejtuar hapin për të kombinuar në sytë e njerëzve interesin personal me atë të kombit.
Në qoftë se shoqëria përfshihet vetëm nga një vlerë përfitimi dhe nuk i mbështet institucionet mbi nocionet e përgjegjësisë dhe të drejtësisë, demokracia mbetet e kërcënuar.
Duket sikur mendimtarët shqiptarë të viteve ’30 donin t’i flisnin popullit tonë se sa e vështirë ishte liria dhe sidomos liria shoqërore, ashtu si dikur Rusoi: “Liria është një ushqim me shumë lëng, por me një tretje të fortë; duhen stomakë shumë të shëndetshëm për ta përballuar… Liri e shenjtë dhe krenare! Në qoftë se këta njerëz të shkretë do të mund të të njihnin, në qoftë se ata do e dinin se me çfarë çmimi të fitojnë dhe të ruajnë; në qoftë se ata do e ndjenin se ligjet e tua janë shumë më të forta nga ç’është dhuna e egër e tiranëve, shpirtërat e tyre të dobët, skllevër të pasioneve që duhen ndrydhur, do të ta kenë frikën njëqind herë më shumë se skllavërisë; ata do t’i largohen me tmerr asaj si një barrë gati për ta flakur".
Keywords:
qytetari, demokraci, kotësia, përgjegjësia, liriaDownloads
References
-
At Zef Valentini, Plejad, Tiranë, 2005.
-
Branko Merxhani, Vepra, Plejad, Tiranë, 2003.
-
“Kthimi i Mithat Frashërit”, Phenix, Tiranë, 1997.
-
Fichte, Discours à la nation allemande, Aubier Montaigne, Paris, 1975.
-
Rouseau, Du Contrat social et autres oeuvres politiques, Garnier, Paris.
-
Shënim i Haideger në esenë e tij «Kush është Zarathustra i Niçes». Në veprën, Essais et conferences, Gallimard, Paris, 1958.
References
At Zef Valentini, Plejad, Tiranë, 2005.
Branko Merxhani, Vepra, Plejad, Tiranë, 2003.
“Kthimi i Mithat Frashërit”, Phenix, Tiranë, 1997.
Fichte, Discours à la nation allemande, Aubier Montaigne, Paris, 1975.
Rouseau, Du Contrat social et autres oeuvres politiques, Garnier, Paris.
Shënim i Haideger në esenë e tij «Kush është Zarathustra i Niçes». Në veprën, Essais et conferences, Gallimard, Paris, 1958.



