Hasan Tahsini - dijetar i lindjes dhe i perëndimit
Abstract
Hasan Tahsini është cilësuar si njeriu që u dashurua mbas të vërtetës për të zbuluar atë kudo që ajo ndodhet, e dukshme apo e padukshme, e lehtë apo e ndërlikuar, afër apo larg, midis yjeve e universit të pafund apo në një pikë uji, në lëndë, në shoqërinë njerëzore dhe në mendimin njerëzor. Ai dha mësim në fshatin e tij, në Berat dhe në Shkodër. Shpesh thoshte: Kur verbohet syri vjen edhe e keqja. Me kulturën dhe dijet e tij u bë simbol i diturisë në Stamboll, ku drejtoi punën e Observatorit dhe medresenë e lartë. Studioi shumë vite në Francë, zhvilloi vëzhgime në observatorin e Parisit dhe njohu pafundësinë e gjithësisë, me shtrirjen, dinamikën dhe zhvillimin e përhershëm. Zgjeroi studimet në fizikë, yjësi, gjithësi, kimi, biologji, gjeologji.
Në fushën e mendimit filozofik, ai përqafoi shkollën e filozofisë pozitiviste. U njoh me filozofinë e Aristotelit dhe zhvilloi më tej idenë se "krijimi dhe çdo gjë që të fillojë në botë duhet të ketë një shkak. Sendet që kërkojnë një shkak, janë të mundshme. Një shkak i cili është qenie e mundshme, duhet të shkaktohet nga një qenie tjetër e mëparshme, e cila gjithashtu duhet të ketë një shkak, por nuk mund të kemi një seri të pafundme shkaqesh të tilla, sepse duhet të jetë një shkak i parë, qenia e të cilit është edhe e domosdoshme, duke pasur ekzistencën nga vetvetja dhe jo nga ndonjë shkak tjetër dhe ky është Zoti - Krijimi është i domosdoshëm dhe i përjetshëm”. Dualizmi ishte kuptimi i tij se në qiell, në tokë, në shoqëri, në mendimin e ndërgjegjes njerëzore ekzistojnë dy fuqi, dy forca aktive, dy qenie, dy parime e substanca të kundërta e në luftë me njëra-tjetrën.
“Kozmologjia” u shkrua prej tij në frymën e deizmit dhe dualizmit filozofik, sepse për një kohë të gjatë ai u edukua dhe u arsimua me idetë e Dekartit, Volterit, Rusoit, Didëroit. Hasan Tahsini është i pari shqiptar që bëri studime të mirëfillta në shkencën e psikologjisë dhe mendimet e tij në këtë fushë i publikoi në librin “Ilmi-ruh” ose “Dituria mbi Shpirtin”, duke dhënë shpjegime shkencore për proceset psikologjike, ndjesitë, perceptimet, mendimin, të folurit, kujtesën, imagjinatën, etj.
Libri “Murebbi-l-Etfal” (Edukatori i fëmijëve) përshkohet nga ideja se ana thelbësore e edukatës është arsimimi i sigurt dhe shkencor, autoriteti e shembulli personal i edukatorit dhe se shoqëria njerëzore do të përparojë vetëm përmes virtytit të pastër dhe moralit. Universaliteti i mendimit të tij shprehet në vlerësimin dhe ndriçimin e hapësirave të proceseve shpirtërore që përbëjnë një fushë të gjerë e të pafundme studimi.
Keywords:
dije, dualizëm, deizëm, psikologji, edukimDownloads
References
-
Hasan Tahsini, “Kozmologjia”.
-
Hasan Tahsini, “Psikologjia”.
-
Hasan Tahsini, “Dritat”.
References
Hasan Tahsini, “Kozmologjia”.
Hasan Tahsini, “Psikologjia”.
Hasan Tahsini, “Dritat”.



