Arkivat

  • Diskutime
    Vëll. 14 No. 33-34 (2025)

    KONFERENCA NDËRKOMBËTARE

    “ZHVILLIMI I ARSIMIT KOMBËTAR DHE GJUHA SHQIPE”

     

    Dr. Valbona Nathanaili, Kolegji Universitar “LOGOS”

    Prof. Arsim Sinani, Universiteti i Prishtinës

    Parathënie

    Konferenca Ndërkombëtare “Zhvillimi i Arsimit Kombëtar dhe Gjuha Shqipe” u mbaj në Manastir, Maqedoni, më datat 18-19 nëntor, 2024, në mjediset e Muzeut të Alfabetit.

    Konferenca u konceptua jo vetëm si një mundësi për të përkujtuar përpjekjet për konsolidimin, forcimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe, por edhe si një platformë për të bashkërenduar kërkimin shkencor në fushën e historisë së gjuhës shqipe, kulturës dhe arsimit shqiptar. Një falënderim të veçantë për organizatorët e kësaj ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme, për gjithë procesin e përgatitjes dhe zhvillimit të konferencës, që rezultoi me një pjesëmarrje të më shumë se 50 autorëve, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Zvicra, si dhe për Komitetin Shkencor të konferencës, që nën drejtimin e Zait Aliut, drejtor i Muzeut të Alfabetit, Manastir (Bitola), Maqedoni e Veriut, i dhanë konferencës frymën e dëshiruar të bashkëpunimit, ndërkohë që ditën të ruajnë me rreptësi filtrat e cilësisë së punimeve të prezantuara.

    Punimet e përfshira në këtë botim i janë nënshtruar një procesi përzgjedhës në përputhje me kërkesat e botimit në një revistë shkencore. Në varësi të tematikës, punimet janë grupuar në tre kapituj. Në kapitullin e parë, “Shkolla shqipe”, do të gjeni gjashtë artikuj, ku diskutohet për rrugëtimin e shkollës shqip, përpara dhe pas formimit të shtetit shqiptar, fokusuar në disa raste edhe në emra e kontribute individuale, si Branko Merxhani dhe Kushe Mica, për politikat që kanë formësuar arsimin shqiptar në periudha të ndryshme kohore dhe ndikimin që kanë luajtur në shtet-formim. Në kapitullin e dytë, “Gjuha Shqipe”, janë përfshirë gjashtë punime, me një tematikë të larmishme, ku merren në analizë sfidat dhe ofrohen zgjidhje për problematikat e ndryshme, bashkudhëtare të përhershme në rrugëtimin e shqipes në veçanti dhe të çdo gjuhe në përgjithësi, përfshirë ditët e sotme. Në kapitullin e tretë, “Figura dhe Personalitete”, do të gjeni përsëri gjashtë artikuj, ku trajtohet biografia, vepra e kontributet e disa prej figurave e personaliteteve shqiptare, që me veprën e tyre kanë ndikuar në mënyrë të jashtëzakonshme historinë e zhvillimit tonë, duke theksuar që disa dokumente botohen për herë të parë.

    Përgatitja e këtyre punimeve nuk do të ishte e mundur pa ndihmën e kolegëve, Zait Aliu, Drejtor i Muzeut të Alfabetit të Manastirit; Prof. Dr. Elvira Fetahu, Rektore e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”; PhD (c) Dorina Daiu, Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit; Z. Granit Osmani, Drejtor i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Shkup; Prof. Asoc. Dr. Naim Berisha, Drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës; Prof. Asoc. Dr. Meleq Shopi, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”.

     

  • Diskutime
    Vëll. 13 No. 31-32 (2024)

  • Diskutime
    Vëll. 12 No. 29-30 (2023)

  • Diskutime
    Vëll. 7 No. 23 (2018)