Prejardhja e families së Rrotllajve dhe roli i saj në Pashallëkun e Prizrenit (1795— 1836)
Abstrakti
Të dhënat dëshmojnë se Salih Pashajt dhe Rrotllajt janë dy familje të vjetra dhe të njohura të Prizrenit me prejardhje të ndryshme. Duhet pranuar fakti se Salih Pashajt ishin nga fshati Nagavc, ndërsa i pari i tyre ka qenë Mehmed Pasha, ndërtuesi i Xhamisë së Bajarklisë a të Mehmet Pashës. Në kronikën e Tahir Efendisë theksohet se Salih Pasha kishte ndërtuar një varg xhamishë, shkollash dhe medresesh, të cilat ishin shkatërruar me rastin e luftës së fundit ndërmjet Austrisë dhe Turqisë. Ndërkaq, Rrotllajt rrjedhin nga fshati Ujmishtë i Lumës, kurse paraardhës i kësaj familje ka qenë Sinan Pasha. Ndër dokumentet e para, deri tani të njohura, që bën fjalë për këtë familje, është një dorëshkrim në Manastirin e Deçanit, në të cilin qysh më 1574, krahas Mahmutbegollajve të Pejës dhe Bushatlinjve të Shkodrës, përmendën edhe Sinan Pashë Rrotllajt e Prizrenit. Mirëpo, përkundër kësaj, deri në gjysmën e dytë të shekullit XVIII nuk kemi të dhëna për këtë familje feudale të Prizrenit. Megjithatë, në bazë të Vakufnnamesë së Tahir Pashë Rrotllës, bëhet i ditur fakti se përfaqësuesit e kësaj familjeje, në fund të shekullit XVII dhe në fillim të shekullit XVIII, nuk bënin pjesë në mesin e personaliteteve të njohura shtetërore të Perandorisë Osmane. Forcimi i sërishëm i tyre fillon që nga kjo kohë e merr hov të madh sidomos në gjysmën e dytë të shek. XVIII, ngase disa anëtarë të kësaj familjeje i gëzonin titujt e pashallarëve osmanë.