Vrasja e Haxhi Zekës sipas dokumenteve të Austro - Hungarisë
Abstrakti
Pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me 1881, Porta e Lartë vendosi një regjim të egër terrori. Në rrethanat e reja politike shumë atdhetarë ju nënshtruan ndjekjeve, intemimeve dhe burgimeve. Mirëpo, me gjithë masat e marra veprimtaria e udhëheqësve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare nuk pushoi së vepruari. Një ndër figurât më të njohura të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që vazhdoi veprimtarinë për çlirim nga robëria osmane ishte edhe Haxhi Zeka. Angazhimi dhe kontributi i tij kombëtar ka qenë nën vrojtim të vazhdueshëm jo vetëm nga vendet fqinje, Serbia e Mali i Zi, por edhe nga Fuqitë e Mëdha. Monarkitë sllave të Ballkanit, Serbia e Mali i Zi përcillnin me vëmendje e interesim veprimtarinë e udhëheqësve të Lëvizjes Kombëtare e ndër ta edhe të Haxhi Zekës. Përpjekjet e shteteve të lartpërmendura për affim dhe bashkëpunim me një pjesë të krerëve shqiptar duhet shikuar në kontekst të interesave të tyre politike e shtetërore. Serbia e Mali i Zi asnjëherë shqiptarët nuk i kanë konsideruar si aleat të barabartë në luftë të përbashkët kundër Perandorisë Osmane. Përkundrazi, ata i konsideronin si forcé aktive luftarake për dobësimin e perandorisë, në mënyrë që në momentin e volitshëm ta kishin më të lehtë pushtimin dhe zgjerimin e tyre territorial në dëm të tokave shqiptare. Mirëpo, pjesa më e madhe e udhëheqësve të Lëvizjes Kombëtare e kishte të qartë qëndrimin antishqiptar të Serbisë e të Malit të Zi.