Karakteri dhe programi politik i Kuvendit të Prizrenit (Qershor - Korrik 1878)
Abstrakti
Në rrjedhat historike për ngritjen e vetëdijes kombëtare shqiptare në një shkallë më të lartë, rol kryesor pa dyshim luajti themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 10 qershor 1878. Ajo ishte rezultat i zhvillimeve brenda Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe situatës ndërkombëtare të gjeneruar nga Kriza Lindore e viteve 1875-1878. Rilindësit kombëtarë shqiptarë, duke parë rrezikun e copëtimit të Shqipërisë, formuan në Stamboll Komitetin Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare (Komiteti i Stambollit), organizatë e cila i parapriu Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Traktati i Shën Stefanit, nënshkruar ndërmjet Rusisë dhe Perandorisë Osmane, në mënyrë të drejtpërdrejtë copëtonte viset shqiptare, prandaj shqiptarët të organizuar në forma të ndryshme, kudo në vise të Perandorisë, protestuan kundër vendimeve të tij. Si shkak për formimin e kësaj Lidhje ishte edhe Kongresi i Berlinit (13 qershor -13 korrik 1878) që u organizua për rishikimin e Traktatit të Paqes së Shën Stefanit.