Gjendja e hebrenjve në territoret shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore
Abstrakti
Një definicion i saktë se çfarë konsiderohet gjenocid nuk ekziston akoma edhe sot. Megjithatë, studiuesit pajtohen në disa pika kryesore se çka mund të thirretgjenocid, që i bie të jetë pak a shumë terrori fizik dhe psikik i nënshtruar në mënyrë sistematike dhe të planifikuar ndaj një populli i cili është ushtarakisht dhe ligjërisht në pamundësi t’i kundërvihet subjektit sulmues. Nisur nga kjo premisë lehtë mund të deduktojmë se përgjatë historisë së civilizimit janë kryer shpesh here krime ndaj njerëzimit në përmasa të atilla që mund të quheshin gjenocide. Në përgjithësi, gjenocidet në parahistori dhe antikitet ishin shpeshherë të atilla që kishin për qëllim çrrënjosjen e pjesshme të një etniteti, gjegjësisht në baza gjinore.1 Si të tilla mund të konsiderohen shkatërrimi i Melosit nga Athina gjatë luftës së Peleponezit në shek. V p.e.s, rrafshimi i Kartagjenës në fund të Luftës së Tretë Punike( 149-46 p.e.s.)2 3, pushtimet e mongolëve nën udhëheqjen e Xhingis Kanit në shek. XIII, e deri te spastrimet etnike të amerikanëve vendas pas zbulimit të Kolombos.