Gjeneza historike e familjes te Anton Çetës
Abstrakti
Dëshmitë arkeologjike të kulturës së mesjetës së hershme tregojnë se në Mirditë kishte shumë vendbanime dhe varreza të mëdha. Këto të dhëna janë një pasqyrë e qartë e zhvillimit dhe trashëgimisë së pasur kulturore të kësaj krahine. Po natyrisht, brenda këtij kuadri ka pasur edhe lëvizje migruese të kësaj popullsie dhe lëvizje të shpeshta. Mirdita është një bashkësi e gjerë krahinore e dallueshme nga simotrat e saj fqinje, jo vetëm nga emri, nga shtriija gjeografike, nga ndërgjegjja e përkatësisë së banorëve të saj, por edhe nga mëvetësia e dukurive në etnokulturën e saj. Kompleksi i traditave e dokeve, po kështu edhe ngjyrimet në elementë të veçantë kulturorë dallojnë si të mëvetësishëm për Mirditën, që i japin asaj një identitet kulturor, duke i marrë ata në tërësinë e tyre të dallueshme.