No. 20 (2021): Studime per Artin

Numri 20 i revistës Studime për Artin vijon hetimin e marrëdhënieve mes arkivit dhe artit post-socialist e atij bashkëkohor. Edhe këtë vit, diskutimet mbi arkivin si i tillë, si dhe mbi praktikat e projektet arkivore, vazhdojnë të “përndiqen” nga hija e shkatërrimit si një formë shfarosjeje a zhdukjeje.
Në artikullin që çel këtë numër, Vjosa Musliu dhe Brunilda Pali reflektojnë mbi arsyet që i shtyjnë të mbijetuarit e konflikteve të armatosura, të spastrimeve etnike dhe gjenocideve, që të mbledhin e të mbrojnë me vendosmërinë dhe kokëfortësinë më të madhe, dokumentime të krimeve të luftës dhe të masakrave që janë kryer ndaj komuniteteve të tyre, pavarësisht “çmimit” që ata paguajnë si individë. Musliu dhe Pali i lexojnë kësi praktikash e projektesh arkivuese në sfondin e një konceptimi të zgjeruar të praktikave politike, që lidh bashkëjetesën me dhe përkujdesjen e parreshtur për të vdekurit në të tashmen me përfytyrimin e të ardhmes si horizontin e vendosjes në vend të drejtësisë. Në artikullin vijues, Anxhela Hoxha (Çikopano) relfekton mbi impaktin negativ që kanë patur bjerrja e praktikave arkivuese dhe bastisja e arkivave teatrore, sidomos gjatë dekadës së parë të të ashtuquajturit “tranzicioni” shqiptar në vitet 1990, mbi kujtesën kolektive të teatrit shqiptar si dhe mbi punën e kërkuesëve që hulumtojnë historinë e teatrit shqiptar. Ndërkaq, Agron Mesi e hedh vështrimin mbi një arkiv i cili, fatmirësisht, është ruajtur deri në ditët e sotme, por që megjithatë nuk njihet aq sa do të duhej. Bëhet fjalë për koleksionin e krijimtarisë fotografike të Kolë Idromenos, i cili ruhet në arkivin e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit.
Më tej, në bashkëbisedim me historianin e artit bashkëkohor Alessandro Gallicchio, Alban Hajdinaj reflekton mbi praktikën e tij artistike si një përpjekje për të shprishur linearitetin e narrativave historike mbizotëruese si dhe të praktikave arkivuese mbi të cilat ato mbështeten. Duke kritikuar ideologjinë e progresit, si në variantin socialist ashtu dhe në atë neoliberal, Hajdinaj nënvizon rëndësinë që paraqet e kaluara si një mjet për të analizuar të tashmen si dhe rreziqet që paraqet mohimi i saj. Në recensionin e monografisë Realizëm Socialist në Shqipëri (Arian Leka, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2020), Raino Isto argumenton se, për të kuptuar domethënien e realizmit socialist në të kaluarën si dhe për të shkyçur potencialin e tij për të funksionuar si një kritikë e kulturës dhe shoqërisë kapitaliste në të tashmen, është e domosdoshme që dimensioni ideologjik e propagandistik i realizmit socialist të shqyrtohet në raport të ngushtë me shumëformësinë dhe radikalizmin e tij estetik. Në recensionin e ekspozitës Arkivi i Hapur (Erzen Shkololli, Galeria Kombëtare e Arteve, 2020- 2021), autorja e këtij tekstit argumenton se estetizimi dhe depolitizimi i veprave të realizmit socialist mund të instrumentalizohet për të fshehur nënshtresën ideologjike të narrativave artistike bashkëkohore si dhe për të normalizuar paradigmën neoliberale mbi të cilën ato mbështeten. Në artikullin përmbyllës, Diana Malaj reflekton mbi vizitën e saj në ekspozitën Synime (Adela Demetja dhe Eli Krasniqi, Galeria Kombëtare e Kosovës, 2021) së bashku me aktivistet e Grupit ATA, duke ngritur një pyetje që rrallëherë është shtruar në lidhje me ekspozitat në kontekstin bashkëkohor shqiptar – konkretisht, kujt i drejtohet një ekspozitë dhe, rrjedhimisht, kush përjashtohet nga të qenurit publiku i saj?
Numri vijues i revistës Studime për Artin do të ketë si bosht tematik konceptin e fillimit, ose më saktë të fillimeve në të gjitha format e tyre – të “mira”, të “këqija”, të dështuara, të papërfunduara, etj.


Jonida Gashi
(Kryeredaktore)

Studime per Artin
ISSN: 2309-5741
No. 20 (2021)
Published: 2025-06-05