Shkenca dhe zhvillimet sociale ne shoqëri
Abstract
Dijet dhe të mësuarit janë konsideruar gjithmonë të rëndësishme për qytetarin shqiptar dhe vazhdojnë të jenë edhe sot në kohën e trasformimeve intensive të shoqërisë. Ky koncept, që duke lënë pas periudhën e errët të regjimit totalitar, filloi të ballafaqohet me probleme të modernizimit të shpejtuar të vendit, trendet e të cilit sollën risi të shumëpritura me dekada nga popujt nën regjimin komunist, si edhe me dukuri të tjera që shkaktuan një shpërpjesëtim të balancave mes kulturës, shkencës dhe zhvillimeve sociale në familje e shoqëri. E gjykojmë të nevojshme këtë përsiatje, sepse në kohën tonë gjithmonë e më tepër flitet për një krizë shpirtërore të njeriut, duke i bashkuar kësaj mungesën e sigurisë ekonomike dhe fizike të njeriut “modern”.
Gëzimi i jetës lidhet jo vetëm me dëfrimin në kuptimin më të varfër të fjalës, por edhe me pamjen intelektuale të ekzistencës sonë, pavarësisht nga niveli arsimor i qytetarit. Kjo lidhet me gjendjen dhe marrëdhënien e tij me shoqërinë (e ndërlikuar në tërësinë e saj). Jeta nuk duhet të bëhet më e komplikuar. Ky pohim i pandjeshëm i referohet tendencës së bezdisshme të jetës së një pjese të shoqërisë, për të shkaktuar probleme dhe për t’i bërë gjërat të vështira. Problemet sigurisht që lindin natyrshëm, ndërsa zgjidhjet gjithmonë kërkojnë vëmendjen, energjinë dhe përpjekjet tona. Ankesa dhe të vajtuarit nuk mundësojnë zgjidhje për ne. Duhet ta pranojmë, se ndonjëherë jetët tona bëhen të komplikuara dhe gradualisht bien në çrregullim, në vend që të mbeten të thjeshta dhe të strukturuara. Është vetëm një këshillë e mirë njerëzore, një fjalë e urtë, ndonjëherë edhe një fjalë e zakonshme që i shtyn njerëzit drejt bisedave për Krijuesin, për shtetin e së drejtës, për familjen e shëndoshë, për barazinë mes krijesave, që të gjitha të lidhura me një nga forcat e mëdha të universit tonë, Krijuesin. Ky lloj i të menduarit është kaq thelbësor sot për ne, pasi është e vetmja force që nesër do të rregullojë jetën e të gjithëve.
Paramendoni që të merrni një kuti me copëra loje me figura dhe t’i hidhni ato mbi një tryezë. Teorikisht, është e mundur që copëzat të bien në mënyrë të përkryer në vendin e duhur dhe të krijojnë një mozaik të kompletuar, pasi t’i hidhni ato nga kutia. Por në realitet, kjo nuk ndodh kurrë.
Pse?
Shumë e thjeshtë: sepse shanset negative janë kundër në mënyrë drastike.
Çdo copëz duhet të binte në vendin e duhur për të krijuar një pamje të kompletuar. Ekziston vetëm një rast i mundshëm kur çdo copëz bie në vendin e duhur, por ekziston një numër pothuajse i pafund i rasteve ku copëzat bien në mënyrë të çrregullt. Duke folur matematikisht, një rezultat i rregullt është tepër i vështirë të ndodhë në mënyrë të rastësishme.
Sërish, në teori, është e mundur që era dhe valët të lëvizin rërën dhe të krijojnë formën e kështjellës tënde të rërës. Por në praktikë, kjo nuk ndodh kurrë. Shanset janë astronomikisht më të larta që rëra do të grumbullohet në një grumbull të rastësishëm.
Ekzistojnë gjithmonë shumë më shumë variante të çrregullsisë sesa ato të rregullit.
E lënë në rrjedhën e saj, jeta bëhet më pak e strukturuar. Kalatë e rërës shkatërrohen. Barërat e këqinj përpijnë kopshtet. Rrënojat e lashta shkatërrohen. Makinat fillojnë të ndryshken e njerëzit gradualisht plaken. Në një kohë të mjaftueshme, edhe malet pësojnë erozione dhe majat e tyre të mprehta bëhen të rrumbullakosura. Trendi i pashmangshëm është që gjërat të bëhen më pak të organizuara.
Ky njihet si Ligji i Dytë i Termodinamikës.
Ashtu siç është edhe një nga konceptet themelore të kimisë dhe një nga ligjet themelore të universit që u krijua nga Zoti. Këtij ligji i nënshtrohet edhe njeriu dhe gjithë shoqëritë njerëzore që nga zanafilla e tyre e deri kur të vijë fundi i jetës në këtë botë. Prandaj duhet besuar fort se pa një lidhje me Zotin, jeta ka tendencën ta humbasë rregullsinë e saj, ndërkohë që me besim ti mund të zgjidhësh çdo gjë. Ti mund t’i shkulësh barërat e këqija nga kopshti yt. Ti mund ta rregullosh ashtu siç duhet dhomën e çrregullt. Ti mund të organizosh individët, për të pasur nesër një shoqëri të shëndoshë ideale. Por, për shkak se një pjesë e universit natyrshëm shkon drejt çrregullimit, duhet të shpenzosh energji për të krijuar stabilitet në këtë shoqëri, së cilës i duhet strukturë dhe thjeshtësi.
Marrëdhëniet e suksesshme kërkojnë kujdes dhe vëmendje. Shtëpitë e rregullta kanë nevojë për pastrim dhe mirëmbajtje. Ekipet e suksesshme kanë nevojë për komunikim dhe bashkëpunim. Pa përpjekje dhe investim me energji pozitive në jetë, gjërat prishen.
Filozofi dhe teologu danez Soren Kierkegaard (1813 –1855), përmasën ekzistenciale të njeriut e shihte në dy pamje themelore të saj. Së pari në dëshpërimin, që sipas tij buron nga raporti i njeriut me veten. Së dyti, në ankthin, që lidhet me raportin e njeriut me botën. Kjo e fundit, sipas Kierkegaard, shfaqet si ndjenjë boshllëku që lind nga pamundësia e njeriut për të qenë i vetëmjaftueshëm pa ndihmën e Zotit. Pra, filozofi danez e shtron problemin e ekzistencës njerëzore në dy rrafshe: në atë të individualitetit dhe së dyti në marrëdhënien e njeriut me Perëndinë. Ky konceptim i krijuar nga Kierkegaard, është i kushtëzuar edhe nga formimi kulturor i tij si teolog. Prandaj, njëri nga qëllimet e jetës, mendjes dhe përpjekjes njerëzore është që të vendosë energji dhe të gjejë informacione për të luftuar valën e devijuar dhe për t’i favorizuar rrjedhat e rendit të dobishëm.
Ruajtja e rregullit përballë kaosit nuk është e lehtë, kjo vlen edhe për të rinjtë shqiptarë, pasi gjëja më e vështirë për ta sot është thjeshtëzimi i jetës së tyre, sepse gjithçka po i tërheq drejt një realiteti më kompleks. Mbledhja dhe kultivimi i vlerave njerëzore do të përbënin trupin e kombit tonë nesër, dhe kjo mund të organizohet dhe arrihet në një numër të pafund mënyrash, që pothuajse të gjitha të çojnë në përmirësimin e orientimit të të menduarit, duke shtuar çdo ditë e më shumë elemente pozitive gjatë jetës. Duke folur matematikisht, mundësitë e një jete më të mirë për të gjithë ne janë shumë të larta. Në një univers ku energjitë pozitive sundojnë ditën dhe natën e gjithsecilit, prania e suksesit dhe e stabilitetit në jetë e shoqëri është mahnitës. Në kuptimin më të përgjithshëm të fjalës, në këtë kuadër merr rëndësi të veçantë çështja e spiritualitetit të shoqërisë. Është ky model i njeriut siç vjen nga lashtësia, me të cilin lidhet spiritualiteti. Në këtë përsiatje janë lidhjet në kërkimin që i bënte së vërtetës hyjnore njeriu, por edhe ekzistenca e hapësirës së lidhjeve të bukura mes artit e shkencës.
Koncepti mbi njeriun si binom trup e shpirt lind me Sokratin, sikundër na e sjell në veprat e tij Platoni. Shpirti shfaqet te njeriu në çastin e krijimit në mitrën e nënës dhe e braktis trupin pas vdekjes. Prandaj shpirti, sipas Platonit, është burim i pastërtisë, ndjenjave, arsyetimit dhe dijes.
Shkencat humane mundësojnë shpjegime interesante pse arti dhe e bukura janë kaq estetikisht të këndshme. Artistët krijojnë një formë të rendit dhe simetrisë që gjithësia e ka krijuar dhe e gjeneron në vazhdimësi. Por kjo ndodh më rrallë në skemën e madhe të mundësive. Numri i kombinimeve të bukura është shumë më i vogël krahasuar me numrin total të kombinimeve. Në mënyrë të ngjashme, kjo ndodh duke parë një fytyrë simetrike që është e rrallë dhe e bukur, kur ka kaq shumë mundësi që të ishte asimetrike. Bukuria është e rrallë dhe e paarritshme në një univers të çrregullt. Kjo na jep arsye më shumë për të mbrojtur artin dhe dijet. Ne duhet t’i ruajmë ato dhe t’i trajtojmë si diçka të shenjtë. Shoqëria shqiptare sot ka nevojë për një kombinim të talenteve, aftësive dhe interesave që janë specifike për shoqërinë tonë. Ne tashmë jetojmë në një mjedis dhe kulturë më të gjerë globale nga ajo që ishim tri dekada më parë, dhe këtu qëndrojnë edhe mundësitë për të mbarështruar mjedisin ku ndodhemi dhe rritemi, që është edhe mjedisi i duhur për zhvillimin e talenteve në breza të tërë.



