Artikujt më të lexuar

No. 7 (2023): Oriental Studies

Fjala e redaksisë


Të nderuar lexues,
Me kënaqësi të madhe prezantoj Numrin 7 të revistës shkencore Studime Orientale, i cili do të botohet, për herë të parë, në kuadër të revistave të Fakultetit të Filologjisë së Universitetit të Prishtinës
“Hasan Prishtina”. Në këtë botim, paraqesim një përzgjedhje të larmishme artikujsh kërkimor e recensione librash, secili duke kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në fushën e filologjisë orientale. Revista përfshinë artikuj në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze. Poashtu, duhet cekur se secili artikull shkencor është kompletuar me abstraktin në shqip dhe në anglisht.
Artikujt e paraqitur në këtë numër kanë pësuar vlerësim rigoroz nga recenzentët, për të siguruar cilësi dhe integritet të lartë të kërkimit të paraqitur. Ne u jemi mirënjohës autorëve për punën e tyre të përpiktë dhe përkushtimin për avancimin e njohurive shkencore.
Orientalisti dhe historiani Iljaz Rexha, trajton praninë e popullsisë shqiptare në zonën gjeografike të Dardanisë, e cila përfshin rajonet e Kosovës dhe Maqedonisë Veri-Perëndimore, gjatë periudhës mesjetare deri në pushtimin e Ballkanit nga Perandoria Osmane. Studimi fokusohet në burime dokumentare historike nga shekujt 13-16 që dëshmojnë ekzistencën e vendbanimeve dhe popullsive shqiptare para pushtimit osman.
Orientalisti tjetër i shquar, Muhammed Mufaku na sjell një dorëshkrim në arabisht i cili hedh dritë mbi jetën dhe historinë e shqiptarëve që janë larguar nga Kosova si pasojë e Luftës Ballkanike të viteve 1912-1913. Teksti përfshin "Kujtimet e birit të Hafiz Islam Prishtinës, Abdulvehap Xhelaludin (1928-2005)" dhe është një nga tre dorëshkrimet të bijve të hafizëve të gjeneratës së parë të shkuar në Siri.
Historiani i ri Fahri Avdija, në artikullin e tij bënë vlerësimin e vakëfe të themeluara në Kosovë gjatë periudhës osmane, institucione këto të cilat përmes veprimtarisë së tyre luajtën një rol të rëndësishëm në transmetimin e kulturës osmane dhe islamizimin e shqiptarëve. Autori flet për mënyrat e themelimit dhe funksionimit të tyre, duke përfshirë vakëfe të ndryshme të themeluara nga sulltanët, pushtetarët, klerikët dhe banorët vendas.
Elton Habibi, në artikullin e titlluar “Kur Muji fliste me kalin turqisht” duke përdorur metodën deskriptive të teksteve, shtjellon elemente të kulturës osmane të pranishme në eposin e kreshnikëve.
Për këtë numër kemi zgjedhur dy artikuj të cilit do t’ua tërheqin vëmendjen studiuesve të filologjisë orientale. Njëri është artikulli Sami Frashërit i shkruar lidhur me konceptet e shkrimit, leximit dhe historisë së shkrimeve, me anë të të cilit mund të njoftohemi me mënyrën e konceptualizimit të temave të rëndësishme për lexuesit të sh. XIX-të. Tjetri është artikulli i akademikut Sadik Jalal al-Azm i, cili është njohur për kontributin e dhënë në diskursin e orientalizmit dhe ofron një kritik pragmatike ndaj veprës së njohur ‘Orientalizëm’ të Edward Saidit.
Përveç artikujve shkencore kemi përfshirë edhe recensione të tre veprave të botuara kohëve të fundit në fushën studimeve orientale. Ato janë: Dijetarë shqiptarë në Perandorinë Osmane (1880-1912): sipas dokumenteve të Meshihatit të Lartë Osman nga Sadik Mehmeti, Hatixhe Ahmedi dhe Ramadan Shkodra; Figura Shqiptare në Lindjen e Meme Shekujt XVI-XX nga Muhamed Mufaku dhe Arnavutça’daki Türkçe Alıntılar (Turqizmat e gjuhës shqipe) nga Lindita Xh. Latifi.
Ndërsa lundrojmë në kompleksitetin e fushës studimore të quajtur studime orientale, mund të themi se hulumtimi i botuar në këtë numër ofron njohuri të vlefshme dhe perspektiva të reja. Shumëllojshmëria e temave të mbuluara nga historia, folklori, analiza e dorëshkrimeve e deri te gjuhësia pasqyron natyrën e shumëanshme të kërkimit shkencor bashkëkohor.
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për recensentët tanë të nderuar dhe anëtarët e bordit redaktues, sekretaren dhe redaktorët gjuhësor, ekspertiza dhe përkushtimi i të cilëve është shumë rëndësishëm në ruajtjen e standardeve të larta të revistës Studime Orientale. Mendimet dhe udhëzimet e tyre konstruktive kanë qenë të rëndësishme edhe në formësimin e përmbajtjes së kësaj reviste.
I inkurajoj lexuesit tanë që të zhyten në artikujt brenda këtyre faqeve, duke u angazhuar me kërkimin më të fundit të paraqitur. Ne besojmë se njohuritë e ndara këtu do të frymëzojnë kërkime, debate dhe inovacione të mëtejshme brenda komunitetit shkencor.

Ju falënderoj në emër të redaksisë për mbështetjen të vazhdueshme për revistën Studime Orientale. Ne jemi të përkushtuar të ofrojmë një platformë për shpërndarjen e kërkimeve novatore dhe presim me padurim komentet dhe kontributet tuaja në të ardhmen.


Kryeredaktore

Prof. Zeqije Xhafçe

Oriental Studies
ISSN: 2663-3973
No. 7 (2023)
Botuar: 2024-10-03
Shiko të gjithë numrat