Arkivat

  • Oriental Studies
    No. 7 (2023)

    Fjala e redaksisë


    Të nderuar lexues,
    Me kënaqësi të madhe prezantoj Numrin 7 të revistës shkencore Studime Orientale, i cili do të botohet, për herë të parë, në kuadër të revistave të Fakultetit të Filologjisë së Universitetit të Prishtinës
    “Hasan Prishtina”. Në këtë botim, paraqesim një përzgjedhje të larmishme artikujsh kërkimor e recensione librash, secili duke kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në fushën e filologjisë orientale. Revista përfshinë artikuj në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze. Poashtu, duhet cekur se secili artikull shkencor është kompletuar me abstraktin në shqip dhe në anglisht.
    Artikujt e paraqitur në këtë numër kanë pësuar vlerësim rigoroz nga recenzentët, për të siguruar cilësi dhe integritet të lartë të kërkimit të paraqitur. Ne u jemi mirënjohës autorëve për punën e tyre të përpiktë dhe përkushtimin për avancimin e njohurive shkencore.
    Orientalisti dhe historiani Iljaz Rexha, trajton praninë e popullsisë shqiptare në zonën gjeografike të Dardanisë, e cila përfshin rajonet e Kosovës dhe Maqedonisë Veri-Perëndimore, gjatë periudhës mesjetare deri në pushtimin e Ballkanit nga Perandoria Osmane. Studimi fokusohet në burime dokumentare historike nga shekujt 13-16 që dëshmojnë ekzistencën e vendbanimeve dhe popullsive shqiptare para pushtimit osman.
    Orientalisti tjetër i shquar, Muhammed Mufaku na sjell një dorëshkrim në arabisht i cili hedh dritë mbi jetën dhe historinë e shqiptarëve që janë larguar nga Kosova si pasojë e Luftës Ballkanike të viteve 1912-1913. Teksti përfshin "Kujtimet e birit të Hafiz Islam Prishtinës, Abdulvehap Xhelaludin (1928-2005)" dhe është një nga tre dorëshkrimet të bijve të hafizëve të gjeneratës së parë të shkuar në Siri.
    Historiani i ri Fahri Avdija, në artikullin e tij bënë vlerësimin e vakëfe të themeluara në Kosovë gjatë periudhës osmane, institucione këto të cilat përmes veprimtarisë së tyre luajtën një rol të rëndësishëm në transmetimin e kulturës osmane dhe islamizimin e shqiptarëve. Autori flet për mënyrat e themelimit dhe funksionimit të tyre, duke përfshirë vakëfe të ndryshme të themeluara nga sulltanët, pushtetarët, klerikët dhe banorët vendas.
    Elton Habibi, në artikullin e titlluar “Kur Muji fliste me kalin turqisht” duke përdorur metodën deskriptive të teksteve, shtjellon elemente të kulturës osmane të pranishme në eposin e kreshnikëve.
    Për këtë numër kemi zgjedhur dy artikuj të cilit do t’ua tërheqin vëmendjen studiuesve të filologjisë orientale. Njëri është artikulli Sami Frashërit i shkruar lidhur me konceptet e shkrimit, leximit dhe historisë së shkrimeve, me anë të të cilit mund të njoftohemi me mënyrën e konceptualizimit të temave të rëndësishme për lexuesit të sh. XIX-të. Tjetri është artikulli i akademikut Sadik Jalal al-Azm i, cili është njohur për kontributin e dhënë në diskursin e orientalizmit dhe ofron një kritik pragmatike ndaj veprës së njohur ‘Orientalizëm’ të Edward Saidit.
    Përveç artikujve shkencore kemi përfshirë edhe recensione të tre veprave të botuara kohëve të fundit në fushën studimeve orientale. Ato janë: Dijetarë shqiptarë në Perandorinë Osmane (1880-1912): sipas dokumenteve të Meshihatit të Lartë Osman nga Sadik Mehmeti, Hatixhe Ahmedi dhe Ramadan Shkodra; Figura Shqiptare në Lindjen e Meme Shekujt XVI-XX nga Muhamed Mufaku dhe Arnavutça’daki Türkçe Alıntılar (Turqizmat e gjuhës shqipe) nga Lindita Xh. Latifi.
    Ndërsa lundrojmë në kompleksitetin e fushës studimore të quajtur studime orientale, mund të themi se hulumtimi i botuar në këtë numër ofron njohuri të vlefshme dhe perspektiva të reja. Shumëllojshmëria e temave të mbuluara nga historia, folklori, analiza e dorëshkrimeve e deri te gjuhësia pasqyron natyrën e shumëanshme të kërkimit shkencor bashkëkohor.
    Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për recensentët tanë të nderuar dhe anëtarët e bordit redaktues, sekretaren dhe redaktorët gjuhësor, ekspertiza dhe përkushtimi i të cilëve është shumë rëndësishëm në ruajtjen e standardeve të larta të revistës Studime Orientale. Mendimet dhe udhëzimet e tyre konstruktive kanë qenë të rëndësishme edhe në formësimin e përmbajtjes së kësaj reviste.
    I inkurajoj lexuesit tanë që të zhyten në artikujt brenda këtyre faqeve, duke u angazhuar me kërkimin më të fundit të paraqitur. Ne besojmë se njohuritë e ndara këtu do të frymëzojnë kërkime, debate dhe inovacione të mëtejshme brenda komunitetit shkencor.

    Ju falënderoj në emër të redaksisë për mbështetjen të vazhdueshme për revistën Studime Orientale. Ne jemi të përkushtuar të ofrojmë një platformë për shpërndarjen e kërkimeve novatore dhe presim me padurim komentet dhe kontributet tuaja në të ardhmen.


    Kryeredaktore

    Prof. Zeqije Xhafçe

  • Oriental Studies
    No. 6 (2021)

    Fjala e redaksisë


    Ky numër i ri i revistës po del në rrethana të rënda të COVID-19 që zotëruan botën dhe diktuan vështrësi në çdo segment të jetës, gjë që u reflektua natyrish edhe në punën tonë. Megjithatë e pamë të udhës që të nxjerrim këtë numër më kohë, në verë të çdo viti, duke shpresuar se numri i ardhshëm do të jetë më mirë me normalizimin e jetës në botë. Me këtë rast e shprehim pikëllimin tonë të thellë për miqtë e kolegët që i humbëm në çdo vend, si pasojë e kësaj gjendjeje që e kaploi botën.
    Nga ana tjetër, ky numër po del ta shprehë një tranzicion në Institu- tin e Studimeve Orientale dhe në revistën Studime Orientale, prej një gjeneratë në një gjeneratë më të re. Pasi Prof. Fetiu Mehdiu kreu ma- ndatin e tij si kryeredaktor i parë, më ra mua mandati i dytë (2018- 2021), kurse tani revista po kalon në duart e gjeneratës së re me vizi- one të veta që do të sjellin risi natyrisht. Në këtë tranzicion, tani po del në këtë numër si kokryeredaktor, Abdulla Rexhepi, profesor i gjuhës dhe letërsisë perse në Degën e Orientalistikës në UP, i cili kishte kontribut të vlefshëm në numrat e kësaj reviste, pasiqë u bë nën ombre- llën e Institutit për Studime Orientale.
    Duke përmenduar Degën e Orientalistikës vlen të përmendet se ajo u themellua me inciativën e të ndjerit Hasan Kaleshi (1922-1976), pra tani jemi në pragë të 100 vjetorit të themeluesit dhe në 50 vjetorit të themelimit, që do të përcjellen me aktivitete të ndryshme shkencore.
    Kështu, në këtë numër kemi një studim të Hasan Kaleshit “Idetë përparimtare të disa ideologëve të lëvizjes së nacionalizmës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XIX në bashkëpunim me popujt e Ballkanit” si dhe një kaptinë nga libri i Prof. Ekmeluddin Ihsanoglu për të jeten e jatit Ihsan Efendi në Egjipt dhe miqësia e tij në atë vend me poetin turk me origjinë shqiptare Mehmet Akif Ersojin (1873-1936), te cilit tani po i festohet 100 vjetori i Marshit të Pavarësisë.
    Në sektorin turqisht kemi punimin “Mendimi modern teologjik në Iran dhe përfaqësuesit kryesorë” ku prezentohen mendimet e ida figurave të shquara si Në sektorin anglisht kemi një dorëshkrim të pabotuar të një shqiptari të lindur në Kosovë që u shprëngulë me familje në Siri si pasojë e Luftrave ballkanike, ku prezentohen disa të dhëna të vlershme të dekadave të para të kolonisë shqiptare në atë vend.
    Në sektorin arabisht kemi një punim origjinal i një historanie egjip- tiane për praninë e shqiptarëve në qytetin/portin e njohur Roseta në Egjipt dhe roli i tyre në jetën ekonomike dhe shoqërore në shek. XX, që sjellë të dhëna të panjohura deri më tani e që vlen të botohet sa më parë në gjuhën shqipe.
    Kuptohet, si në çdo numër, kemi këtu disa vështrime të librave të reja të botuara në gjuhë të ndryshme, kurse në In Memoriam përkujtohet me pikëllim vdekja e profesorit dhe përkthyesit boshnjak Muhmud Kralić (1950-2021), i cili u nderua vjet me Çmimin e Sheik Hamad për përkthim dhe mirëkuptim ndërkombëtar në Doha.


    Prof. Muhamed Mufaku

  • Oriental Studies
    No. 5 (2020)

    Fjala e redaksisë

    Me botimin e numrit 4 të revistës në dy versionet: në letër dhe elektronik, kemi marrë shumë letra nga kolegë që veprojnë nëpër institucione të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, sidomos nga ata të Lindjes së Mesme. Në mesin e këtyre reagimeve, përkatësisht, lavdërimeve e mirënjohjeve, ka pasur dhe sugjerime e vërejtje të ndryshme. Kuptohet, na erdhi mirë që kemi pasur këso reagimesh, sepse edhe prej vërejtjeve e sugjerimeve do të përfitonim që revista jonë të pasurohet sa më shumë e të zgjerohet rrjeti i bashkëpunimit.

    Në këtë numër vërehet llojllojshmëria e temave që reflekton zgjerimin e bashkëpunimit me kolegët e vendeve të ndryshme. Kështu, në pjesën e arabishtes, nga Shkupi e kemi punimin e Naser Ramadanit që e ndriçon plejadën e ulemeve të Shkupit që e mbanin llagapin “Shkupiani”, e që kishin dhënë kontribute të dukshme në kulturën arabe-islame gjatë shekujve XVI-XX. Kurse nga Sarajeva e kemi punimin e Munir Mujiçit, që bën fjalë për një vakufname të regjistuar në Jerusalem në vitin 1681, në të cilin, si blerës të një trolli të një vakufi mysliman, fi- gurojnë dy vëllezër nga Sarajeva, e që më pas e dhuruan për nevojat e klerit katolik në Jerusalem. Nga Ammani kemi një punim origjinal dhe interesant të historianes jordaneze, Suhaila al-Shalabi, që ndriçon mbi ndikimin e luftërave ballkanike 1912-1913 në zhvillimin e lëvizjes na- cionale arabe gjatë viteve 1913-1918. Në pjesën persisht kemi një pu- nim të studiuesit Ahmed Jeshil, me titull “Arti islamik në shoqëritë bashkëkohore myslimane”, kurse në rubrikën In Memorium paraqitet jeta e veprimtaria shkencore e Prof. Dr. Amir Ljuboviq (1945-2019), ekspert boshnjak për dorëshkrimet orientale në Bosnjë dhe Herce- govinë.

    Në pjesën shqip, turqisht e anglisht vërehet një prani e dukshme të orientalistëve të Kosovës (Abdulla Hamiti, Zeqije Xhafçe dhe Isa Sulçevsi) të cilët paraqiten me punime të reja origjinale në shqip dhe turqisht. Kësaj here, seksioni shqip është shumë i pasur me recensione të botimeve të reja në gjuhë të ndryshme (anglisht, shqip, turqisht e boshnjakisht) që kanë të bëjnë me Kosovën e shqiptarët. Kjo ka dome- thënie të shumfishtë, sepse tani këtu paraqiten botime me vlerë në gjuhë të huaja, të cilat e meritojnë të përkthehen në shqip. Gjithashtu, vlersëohen ato vepra që botohen në shqip me kritere shkencore, pasi kohëve të fundit gjithçka po botohet në shqip pa ndonjë recensim të mirëfilltë shkencor. Nga ana tjetër, në rubrikën In Memoriam paraqitet veprimtaria shkencore e orientalistit britanik Harry T. Norris (1922- 2019), i cili kishte interesim për historinë e kulturën shqiptare, që shprehet posaçërisht në librin e tij “Islami në Ballkan”.

    Sikurse në numrat e mëparshëm, kemi diçka që vlen të përmendet në lidhje me stafin e gjerë të revistës. Kësaj here do t’ia urojmë anëtarit të redaksisë, Prof. asoc. Dr. Isa Memishit, çmimin e Minisitrisë së Kulturës për përkthimin më të mirë për vitin 2019. Është fjala për përkthimin e romanit “Guacka” të shkrimtarit sirian Mustafa Halifa, të cilin e botoi në SH.B. “Buzuku” me ndihmën e Institutit për Studime Orientale në Prishtinë. Ky çmim ka një domethënie për ne, sepse është hera e parë që e fiton këtë çmim një roman i përkthyer nga gjuha arabe, pasi edhe është përkthyer në tetë gjuhë të tjera evropiane.

    Prof. Dr. Muhamed Mufaku

  • Studime Orientale
    No. 4 (2019)

    Fjala e redaksisë

    Ky numër i revistës Studime Orientale po del më ndryshime krahasuar me numrat e kaluar, në saje të ndryshimeve institucionale në organizimin e studimeve orientale që janë bërë gjatë viteteve të fundit. Numrat e parë të revistës 1-3 u botuan nga Shoqata e Orientalistëve të Kosovës (SHOK), e cila u themelua më 2006. Kjo shoqatë e botoi më vonë revistën Studime Orientale në gjuhën shqipe, e cila i dedikohej rrethit të interesuar për këtë fushë studimesh në botën shqiptare.

    Me themellimin e Institutit për Studime Orientale (ISO) në Prishtinë, më 2016, në marrëveshje me kolegët e Shoqatës së Orientalistëve në Kosovë, të cilët tani janë të angazhuar edhe në Institut (ISO), edhe në revistë, u dakorduam që të vazhdohet me botimin e revistës Studime Orientale, si botim i Institutit (ISO), me qëllim që të mbahet kontinuiteti i punës profesionale në fushën e orientalistikës në Kosovë, e cila daton së paku që nga viti 1973, kur edhe u themelua Dega e Orientalistikës në Universitetin e Prishtinës.

    Në përputhje me Statutin e Institutit (ISO), Bordi i ri i Institutit e ka parë të udhës që numri i ri i revistës (nr. 4) të dalë në pesë gjuhë (nga e majta - në shqip, anglisht e turqisht, kurse e nga e djatha - në arabisht e persisht). Kjo mënyrë e botimit të revistës është menduar të jetë urë komunikimi midis kolegëve që merren me studimet orientale në Ballkan dhe të gjithë atyre që janë të interesuar për këto studime në Lindje dhe në Përendim. Pikërisht për këtë, tani e tutje në këtë revistë do të botohen punime origjinale në këto gjuhë, por edhe punime të përkthyra, me pelqimin e autorëve dhe të institucioneve përkatëse.

    Po ashtu, tani e tutje revista do të botojë recensione për veprat e reja (deri në 1500 fjalë), të botuara në gjuhë të ndryshme të Ballkanit e që paraqesin vlerë dhe meritojnë të prezantohen në rrethe më të gjera në gjuhët në të cilat botohet revista.

    Kështu, në këtë numër, në pjesën e majtë kemi punime në gjuhët angleze, shqipe dhe turke. Në gjuhën shqipe kemi një punim që i dedikohet një ngjarjeje shkencore të shumëpritur deri tani, botimit të Fjalorit historik të gjuhës arabe. Në këtë punim autori është përpjekur të prezantojë një sistem profesional të transkriptimit të emrave arabë në gjuhën shqipe, që mund të jetë iniciativë për një konsultë në nivel mbarëshqiptar për një sistem të unifikuar, të cilin ende nuk e kemi krahas gjithë kësaj tradite të punës që kemi në orientalistikë. Gjithashtu, në gjuhën shqipe botohet edhe një studim për logjikën e Aristotelit, e cila mësohej në medresetë shqiptare deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Në seksionin në gjuhën angleze kemi një studim për qëndrimin e Profetit Muhammad ndaj poezisë, kurse në seksionin në turqishte kemi një punim për veshjet popullore në fshatin GuriBardhë në Shqipëri deri në shek. XV, përkatësisht deri në pushtimin osman. Në pjesën e djathtë, në seksionin e gjuhës arabe, kemi një studim për Mehdi Frashërin për kohën derisa ishte guvernator i Jerusalemit më 1912, si dhe një studim të përkthyer nga shqipja në arabisht për fenomenin e "egjiptianëve të Kosovës". Më në fund, në sesionin në gjuhën perse kemi një punim që i kushtohet poetit Sadi dhe sfidave të njeriut bashkëkohor.

    Përveç recensioneve për vepra të ndryshme, në këtë numër të revistës kemi edhe rubrikën In Memoariam, me ç’rast përkujtojmë dhe nderojmë Dariush Shayegan (1935 -2018), Mehmet Kico (1949 - 2018) dhe Qemajl Morina (1951 -2019).

    Kemi nderin të njoftojmë lexuesit dhe opinionin e gjerë se gjatë përgatitjes për botim të këtij numri të revistës, anëtari i Bordit konsultatativ i Institutit (ISO) Akad. Esad Durakoviq u nderua më Çmimin për përkthim e mirëkuptim ndërkombëtar për veprën jetësore që përfshin përkthimet e tij nga gjuha boshnjake në arabisht (Doha 2018), kurse anëtari i redaksisë Salah Jarrar, në janar të vitit 2019, u nderua me Medaljen Mbretërore Spanjolle për veprën jetësore në fushën e studimeve arabe-spanjolle.

    Prof. Muhamed Mufaku